E hënë, 19 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Goditja e bandave, si e “çanë rrjetën” e SPAK bosët e krimit
Lajme

Goditja e bandave, si e “çanë rrjetën” e SPAK bosët e krimit

Dekriptimi i komunikimeve të platformës së koduar SKY ECC hapi një kapitull të ri në kuptimin e kriminalitetit shqiptar. Ajo që deri dje përflitej me zë të ulët, tani doli lakuriq në dritë: grupet e organizuara nuk kufizoheshin më në territore, por kishin depërtuar në ekonomi, në administratë, në strukturat e rendit dhe deri në nivelet më të larta të politikës.

Avokati Eugen Beci e përshkroi situatën me tone alarmuese, duke theksuar se SPAK po lufton pothuajse i vetëm, në një terren ku institucionet e tjera nuk po e mbështesin luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. Sipas tij, një prokurori e vetme nuk mund të përmbysë e transformojë një realitet të tërë.

Nga mijëra mesazhet e koduara të çelura nga aparatet e sekuestruara, SPAK ngriti dosje voluminoze dhe shënjestroi organizatat më të fuqishme të dhjetëvjeçarit të fundit. Operacionet “Revanshi”, “Metamorfoza” dhe “Plumbi i Artë” provuan se krimi nuk vepronte thjesht në periferinë e shtetit — në shumë raste, ishte i ndërlidhur me vetë strukturat e tij.

Nëse vendet partnere nuk do t’i kishin dorëzuar transkriptet e SKY ECC dhe EncroChat, shumë prej këtyre dosjeve mbase nuk do të kishin parë kurrë dritën. Ish-anëtari i KLP, Tartar Bazaj, vuri në dukje se këto dokumente i ekspozuan hapur rrjetet kriminale dhe e detyruan SPAK-un të ndërmerrte veprime më agresive e hetime më të thelluara.

Edhe ish-prokurori Gentian Ternova theksoi se sfida më e madhe lidhej me analizimin e provave, duke shtuar se hetuesit duhej të filtrin me profesionalizëm çdo bisedë të përgjuar, për të kuptuar cilat prej tyre lidhen realisht me krime të rënda, veçanërisht me vrasjet.

Në qendër të sagave më të përgjakshme u shfaqën emrat e njohur për publikun: përplasjet mes vëllezërve Çopja dhe grupit të Erjon Alibejt, rivaliteti i Plarent Dervishajt me Aleksandër Muharremin, konfliktet e Arben Ndokës dhe Emiljano Shullazit me Durim Bamin apo hasmëritë mes Bajrëve dhe Licajve në Shkodër. Grupi i Elbasanit, i Shkodrës, Niklës, Lezhës, Vlorës — klanet më të frikshme të viteve të fundit — sot janë përballë dosjeve që i akuzojnë për krime mafioze.

Por këto goditje patën edhe anën e tyre të errët: informacione të rrjedhura, operacione të dekonspiruara dhe personazhe kyç që ia dolën të zhduken përpara prangave. Disa prej figurave më të kërkuara të nëndheshmes vijojnë të jenë sot të lirë, mes tyre Altin Hajri, Aleksandër Laho (“Rrumi i Shijakut”), Suel Çela, Erlis Duka, Mikael Qosja, Arben Ndoka e të tjerë.

Juristi Rezart Kthupi e lidh këtë fenomen me dy faktorë: infiltrimin e krimit brenda Policisë së Shtetit, që bën të mundur rrjedhjen e informacionit, dhe faktin se grupet kriminale kanë struktura e financa të tilla që i lejojnë të shmangin kapjen shumë më lehtë se qytetarët e zakonshëm.

Rrjetet shqiptare vepronin në një qarkullim ndërkontinental, nga Ballkani në Dubai, Belgjikë, Amerikën Latine e deri në Ekuador, duke qarkulluar miliona euro dhe duke i pastruar ato përmes ndërtimit, tregtisë dhe aktiviteteve të tjera.

SKY ECC nxori në sipërfaqe edhe figurat e asaj që shpesh quhet “krimi me kollare”: deputetë, zyrtarë, prokurorë e drejtues që ndërhynin në dosje, garantonin mbrojtje politike apo shtrinin ndikimin nga çështja Toyota Yaris deri te futja e kandidatëve në lista zgjedhore. Megjithëse hetimet kanë nxjerrë në dritë shumë, ende mbetet një segment i paadresuar plotësisht.

“SPAK nuk ka vetëm detyrën të tregojë historinë e ngjarjeve; ai duhet t’i provojë ato para gjykatës, që të ketë dënime konkrete”, theksoi sërish Kthupi.

Nga ana tjetër, figura të panjohura më herët u shfaqën si lojtarë të mëdhenj të trafikut ndërkombëtar. Ervis Çela rezultoi një nga shpërndarësit kryesorë të kokainës, me vëllezërit që organizonin logjistikën, deri në arrestimin e tij në Qeparo. Franc Çopja ndërtoi një aks tjetër të trafikut dhe pastrimit të parave, ndërsa bashkëpunimi me rrjetin e Çelës krijoi një strukturë të dyfishtë shpërndarjeje.

Vëllezërit Hoxhosmani dhe personi i njohur si “Cinco” shfaqen si një tjetër hallkë lidhëse me vendet e Amerikës Latine. Paralelisht, SPAK goditi laboratorë të kokainës në Qerek të Fushë-Krujës dhe në Frakull të Fierit — pika kyçe të një zinxhiri që sillte kokainën nga Amerika Latine drejt tregut europian.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.