E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Gonxhe: Kështjella 2.6 mln euro e Beqirit, më lirë se vilat në jug
Lajme

Gonxhe: Kështjella 2.6 mln euro e Beqirit, më lirë se vilat në jug

Ministri Blendi Gonxhe ka reaguar sërish për çështjen e biznesmenit Ermal Beqiri, i cili është shpallur në kërkim nga SPAK, ndërsa në Francë autoritetet kanë sekuestruar një pronë luksoze që dyshohet se është në pronësi të tij.

I ftuar në një studio televizive, Gonxhe ka komentuar pasurinë e biznesmenit, duke argumentuar se aktiviteti i tij nuk duhet të shihet vetëm në lidhje me tenderat e AKSHI-t, për të cilat SPAK ka lëshuar urdhër arresti ndaj tij.

Sipas ministrit, Beqiri ka ushtruar edhe aktivitete të tjera biznesi dhe nuk është e pazakontë që sipërmarrës shqiptarë të investojnë jashtë vendit.

Gonxhe është ndalur veçanërisht te kështjella në Francë, me vlerë rreth 2.6 milionë euro, e cila është sekuestruar nga autoritetet franceze dhe është bërë pjesë e hetimeve.

Ministri ka krahasuar vlerën e pronës me çmimet e vilave luksoze në Shqipëri, duke thënë se një pasuri e tillë në Francë mund të jetë edhe më e lirë se disa prej vilave elitare në jug të vendit apo në zonat përreth Tiranës.

“Këtu nuk ka asnjë lloj lajmi se në funksionin e tij, pra një njeri i cili ka punuar, se ai nuk është marrë vetëm me tendera, është marrë me një aktivitet të tërë, ka plot biznesmenë të cilët mund të investojnë edhe jashtë shtetit. Ta zhveshim nga kjo pjesa e narrativës që… po ne na bën përshtypje që qëllon ky pikërisht si biznesmen që ka marrë këtë kështjellën diku në Francë, që çmimi ishte më i lirë se një pjesë e mirë e vilave më të shtrenjta elitare në jugun e vendit apo në rrethinat e Tiranës”, deklaroi Gonxhe.

Beqiri është një prej personave të kërkuar nga SPAK në kuadër të hetimeve për abuzime të dyshuara me tenderat e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).

Ndërkohë, pasuria e sekuestruar në Francë ka tërhequr vëmendje për shkak të vlerës së saj dhe dyshimeve të ngritura nga autoritetet në lidhje me burimin e parave të përdorura për blerjen e saj.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.