Një qarkore e re për emigracionin në Greqi ka ngritur shqetësime të forta te komuniteti shqiptar, pasi pritet të ndikojë drejtpërdrejt në rinovimin e lejeve të qëndrimit për mijëra persona.
Ndryshimet e fundit ligjore, të lidhura me politikat e vitit 2026, synojnë përshpejtimin e procedurave vetëm për emigrantët me dokumentacion të rregullt, ndërsa nuk parashikojnë zgjidhje për ata që janë pa dokumente. Kjo ka rritur pasigurinë për një numër të madh shqiptarësh që jetojnë prej vitesh në Greqi.
Deri në vitin 2025, legjislacioni grek kishte një qasje më fleksibël, duke lejuar aplikime për leje qëndrimi edhe për persona që kishin qëndrim të gjatë në vend. Megjithatë, pas këtij viti, është vënë re një ashpërsim i dukshëm i politikave, sidomos ndaj emigracionit të parregullt.
Në verën e vitit 2025 u miratuan dy ligje të reja që synojnë frenimin e emigracionit të paligjshëm. Sipas këtyre masave, personat pa dokumente të rregullta, nëse ndalohen nga autoritetet, dërgohen fillimisht në qendra ndalimi dhe më pas përballen me gjoba ose dënime me burg deri në dy vite. Deportimi shoqërohet me ndalim hyrjeje në Greqi dhe vendet e Bashkimit Evropian për një periudhë nga 5 deri në 10 vjet.
Një element tjetër shqetësues është fakti se deportimi mund të zbatohet menjëherë, edhe në rastet kur vendimi ankimohet, ndërsa shqyrtimi i apelimit bëhet më pas.
Qarkorja e re prek veçanërisht emigrantët që kanë humbur lejen e qëndrimit gjatë vitit të kaluar, ndërsa nuk ofron mundësi të reja për rikuperimin e statusit për kategori të tjera në vështirësi.
Reagimet nga diaspora shqiptare kanë qenë të shumta, duke theksuar kostot e larta të proceseve gjyqësore dhe pasigurinë ligjore që po përballen emigrantët.
Aktualisht, në Greqi jetojnë rreth 500 mijë emigrantë të ligjshëm, nga të cilët rreth 140 mijë janë shqiptarë me leje qëndrimi. Ndërkohë, vlerësohet se 70–80 mijë shqiptarë e kanë humbur këtë status, një shifër që mbetet shqetësuese, edhe pse në rënie.
Vështirësitë për t’u pajisur me dokumente dhe alternativat më të favorshme në vende të tjera të BE-së po ndikojnë në largimin gradual të shqiptarëve nga Greqia.







