Greqia nis programin për ripopullimin e zonave pranë Shqipërisë
Deri në 10 mijë euro për familje dhe 50% paradhënie për banorët që zhvendosen në zonat Suli, Filat, Pogon e Konicë
Greqia po zgjeron programin e saj të mbështetjes financiare për familjet që vendosin të zhvendosen në zona të izoluara dhe të prekura nga rënia e popullsisë. Në mesin e rajoneve të përfshira janë edhe Suli dhe Filati në Thesproti, si dhe disa bashki të rajonit të Janinës, pranë kufirit me Shqipërinë.
Sipas mediave greke, përmes programit të zhvendosjes së përhershme parashikohet një ndihmë financiare deri në 10,000 euro për familje, me mundësi për marrjen paraprake të 50% të shumës. Aplikimet pritet të hapen në tetor, ndërsa nisma synon të frenojë shpopullimin dhe të nxisë rikthimin e banorëve në zonat periferike.
Suli dhe Filati, në rajonin e Thesprotisë, si dhe zona të Pogonit e Konicës pranë Janinës, përmenden mes territoreve që do të përfitojnë nga zgjerimi i programit. Këto treva kanë edhe një lidhje historike me popullsinë çame, një pjesë e së cilës u dëbua drejt Shqipërisë pas Luftës së Dytë Botërore.
Mbështetje financiare dhe investime në shërbimet publike
Programi synon të luftojë tkurrjen demografike dhe largimin e popullsisë drejt qendrave të mëdha urbane, duke krijuar kushte më të mira jetese në zonat që janë braktisur ndër vite.
Përveç ndihmës financiare, autoritetet greke kanë theksuar rëndësinë e përmirësimit të infrastrukturës dhe shërbimeve bazë, përfshirë çerdhet, shkollat dhe shërbimet shëndetësore, si elementë të domosdoshëm për të nxitur vendosjen e përhershme të familjeve në këto zona.
Një nga ndryshimet e programit është lehtësimi i kritereve të pjesëmarrjes. Sipas raportimeve, nuk kërkohet më një kontratë paraprake pune në zonën ku do të zhvendoset përfituesi, duke zgjeruar mundësitë edhe për punonjësit në distancë dhe kategori të tjera.
Programi shtrihet edhe në rajone të tjera kufitare
Nisma nuk kufizohet vetëm te zonat pranë Shqipërisë. Programi i ripopullimit po zgjerohet edhe në rajone të tjera të Greqisë, përfshirë zona pranë kufijve me Maqedoninë e Veriut, Bullgarinë dhe Turqinë.
Skema nisi fillimisht në rajonin e Evrosit dhe më pas u zgjerua në zona të tjera që përballen me rënie të popullsisë. Një tjetër rast është ishulli i Kastellorizos, ku autoritetet greke kanë parashikuar masa të posaçme për të nxitur vendosjen e banorëve dhe për të mbështetur komunitetin lokal.
Sipas Greek Reporter, programi i zgjeruar është pjesë e përpjekjeve të Athinës për të frenuar shpopullimin e zonave të largëta dhe për të garantuar qëndrueshmërinë e komuniteteve përgjatë kufijve të vendit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



