Greqia përfshihet nga protesta masive, dy ish-kryeministrat kundër Mitsotakis
Protestat e fermerëve në Greqi po hyjnë në një fazë edhe më të tensionuar, teksa bllokadat në rrugë e akse kryesore nuk duken se do të ndalen, madje edhe gjatë festave të fundvitit, nëse kërkesat e tyre nuk merren seriozisht nga qeveria. Përtej çështjes së pagesave të prapambetura nga OPEKEPE, fermerët kërkojnë një paketë më të gjerë mbështetjeje.
Me zgjerimin e protestave dhe paralizimin e disa rrugëve strategjike, presioni ndaj qeverisë Mitsotakis është rritur dukshëm. Kryeministri ka apeluar dy herë për dialog gjatë fundjavës, por mungesa e një strukture të unifikuar përfaqësimi te fermerët e ka komplikuar procesin. Ndërkohë, policia greke po përgatitet për skenarë të rinj bllokimesh, që mund të prekin portet dhe aeroportet e vendit, ndërsa Rruga Kombëtare Athinë–Selanik është kthyer tashmë në një nyje të vështirë për qarkullim.
Protestuesit kanë paralajmëruar se të hënën do të ndërpresin qarkullimin në rrugët anësore për dy orë, ndërsa të mërkurën porti i Volosit do të bllokohet si nga toka ashtu edhe nga deti. Bllokime janë raportuar edhe në zonën e Kastron në Beoti.
Mitsotakis ka deklaruar se qeveria mbetet e gatshme të mbështesë ata që i quajti “fermerë të ndershëm” dhe se pagesat e detyruara do të kryhen plotësisht. Megjithatë, ai theksoi se veprimet ekstreme nuk i shërbejnë zgjidhjes dhe se dera e Ministrisë së Zhvillimit Rural është e hapur vetëm për dialog të strukturuar.
Nga ana tjetër, burime qeveritare pranojnë se edhe nëse kryhen pagesat, pakënaqësia nuk pritet të shuhet pa një diskutim thelbësor për problemet kronike të bujqësisë greke. Në tavolinë është edhe mundësia e zgjatjes së tarifave të reduktuara të energjisë elektrike, por fermerët e konsiderojnë këtë masë të pamjaftueshme.
Situata ka marrë dimension politik, pasi dy ish-kryeministrat Kostas Karamanlis dhe Antonis Samaras kanë dalë publikisht në mbështetje të fermerëve. Karamanlis kërkoi më shumë vëmendje e ndjeshmëri ndaj shqetësimeve të tyre, ndërsa Samaras kritikoi qeverinë për ecuri “thjesht komunikative”, duke paralajmëruar se pa bujqit “nuk ka vend” dhe se sektori duhet forcuar, jo dobësuar.
Me tensionet që rriten dhe bllokadat që shtrihen, ditët në vijim pritet të jenë vendimtare, teksa qeveria kërkon mënyra për të shmangur paralizën e infrastrukturës dhe për të bindur fermerët të ulen në tryezën e bisedimeve.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



