Grup kriminal e trafik droge, SPAK çon për gjykim 10 të pandehur
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet për një nga procedimet më të rëndësishme penale të viteve të fundit dhe ka dërguar çështjen për gjykim pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë. Bëhet fjalë për procedimin penal nr. 177 të vitit 2023, ku janë marrë të pandehur gjithsej 10 persona të dyshuar për përfshirje në aktivitet kriminal të organizuar.
Sipas dosjes hetimore, të pandehurit janë përfshirë në veprimtari të paligjshme që lidhen kryesisht me trafikimin ndërkombëtar të lëndëve narkotike, organizimin e grupeve kriminale dhe ndihmën për kalim të paligjshëm të kufijve.
Në qendër të hetimeve rezultojnë disa prej të pandehurve që dyshohet se kanë pasur rol drejtues dhe financues në këtë strukturë kriminale, ndërsa pjesa tjetër ka vepruar si bashkëpunëtorë aktivë në operacionet e trafikut dhe logjistikës.
Hetimet kanë zbuluar se aktiviteti kriminal shtrihej në disa shtete dhe kontinente, duke përfshirë vende të Amerikës Latine si Brazili dhe Ekuadori, si dhe destinacione në Bashkimin Europian si Italia, Holanda, Gjermania dhe Greqia. Nga të dhënat e administruara rezulton se janë trafikuar mbi 4.3 ton lëndë narkotike, konkretisht:
- 3635 kg kokainë
- 2 kg heroinë
- 701 kg kanabis
Përveç trafikut të drogës, hetimet kanë dokumentuar edhe ndihmën për kalimin e paligjshëm të kufirit për 55 shtetas sirianë nga Shqipëria drejt Italisë.
Një element kyç në zbardhjen e kësaj çështjeje ka qenë përdorimi i komunikimeve të koduara përmes platformave të enkriptuara, të cilat janë analizuar në bashkëpunim me autoritetet ndërkombëtare. Këto komunikime kanë ndihmuar në identifikimin e roleve të secilit prej të përfshirëve dhe mënyrën e funksionimit të rrjetit kriminal.
Operacioni hetimor është zhvilluar në bashkëpunim të ngushtë me disa shtete partnere dhe agjenci ndërkombëtare, duke përfshirë strukturat ligjzbatuese të vendeve europiane dhe të Amerikës Latine, si dhe organizata si Eurojust dhe Europol.
Sipas përfundimeve të hetimit, një pjesë e të pandehurve kanë ushtruar funksione drejtuese në organizatë, duke menaxhuar financat dhe operacionet e trafikut, ndërsa të tjerë kanë pasur rol operacional në transportin dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike.
Ndërkohë, autoritetet bëjnë me dije se hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë rrjet, duke ndarë një pjesë të akteve në një procedim të ri penal.
Në përfundim, theksohet se çdo person i përfshirë në këtë proces konsiderohet i pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë nga gjykata.
Njoftimi i plotë i SPAK:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përfundoi hetimet dhe ka dërguar pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, procedimin penal nr. 177 të vitit 2023, në ngarkim të 10 të pandehurve:
Musa Gjikola, Sokol Masha, Jani (alias Ilir) Meçja, Akil Alushi, Selami Lushkaj, Klodjan Muça, Denis Harusha, Lorenzo Çadri, Ledri Lulashi, Arian Gjata, të akuzuar për veprat penale:
Musa Gjikola dhe Jani (alias Ilir) Meçja, për kryerjen e veprave penale:
- “Trafikim i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal dhe më shumë se një herë, parashikuar nga nenet 283/a/2 dhe 28 pika 4 të Kodit Penal, në lidhje me nenin 334/1 të Kodit Penal “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”,
- “Grup i strukturuar kriminal”, kryer në formën e drejtimit, parashikuar nga neni 333/a/1 i Kodit Penal.
Sokol Masha dhe Akil Alushi, për kryerjen e veprave penale:
- “Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim në formë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 298/2 dhe 28 pika 4 të Kodit Penal, në lidhje me nenin 334/1 të Kodit Penal, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale ose grup i strukturuar kriminal”,
- “Grup i strukturuar kriminal”, kryer në formën e drejtimit, parashikuar nga neni 333/a/1 i Kodit Penal.
Selami Lushkaj, Klodjan Muça, Denis Harusha dhe Lorenzo (alias Arbër) Çadri (alias Hysko, alias Isufi, alias Çela), për kryerjen e veprave penale:
- “Trafikim i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim në formën e veçantë, atë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 283/a/1, dhe 28 pika 4 të Kodit Penal, në lidhje me nenin 334/1 të Kodit Penal “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”,
- “Grup i strukturuar kriminal”, kryer në formën e drejtimit, parashikuar nga neni 333/a/1 i Kodit Penal.
Sokol Masha, për kryerjen e veprave penale:
- “Trafikim i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal, (njëri episod i konsumuar sipas nenit 283/a dhe tjetri mbetur në tentativë sipas nenit 283/a-22 të Kodit Penal), dhe më shumë se një herë, parashikuar nga nenet 283/a/2, (22) dhe 28 pika 4 të Kodit Penal, në lidhje me nenin 334/1 të Kodit Penal “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”,
- “Grup i strukturuar kriminal”, kryer në formën e pjesëmarrjes, parashikuar nga neni 333/a/2 i Kodit Penal.
Akil Alushi, Ledri Lulashi dhe Arian Gjata, për kryerjen e veprave penale:
“Trafikim i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim në formën e veçantë, atë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 283/a/1 dhe 28 pika 4 të Kodit Penal, në lidhje me nenin 334/1 të Kodit Penal “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”,
“Grup i strukturuar kriminal”, kryer në formën e pjesëmarrjes parashikuar nga neni 333/a/2 i Kodit Penal.
Hetimet rreth këtij procedimi penal janë realizuar në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet braziliane, ekuadoriane, franceze, holandeze, italiane dhe serbe, të drejtësisë, Byronë Kombëtare të Hetimit dhe me strukturat e hetimit me Policinë e Shtetit për ekzekutimin e masave të sigurimit personal.
Nga hetimet e kryera për interesa të këtij procedimi penal ka rezultuar e provuar se 10 të pandehurit: Musa Gjikola, Sokol Masha, Jani (alias Ilir) Meçja, Akil Alushi, Selami Lushkaj, Klodjan Muça, Denis Harusha, Lorenzo Çadri, Ledri Lulashi, Arian Gjata, në bashkëpunim me disa persona të dënuar nga autoritetet e huaja dhe me disa persona të paidentifikuar ende, kanë trafikuar sasi të konsiderueshme të lëndës narkotike nga vendet e Amerikës Latine, nga Shqipëria drejt vendeve të Bashkimit Europian, si dhe kanë ndihmuar kalimin e paligjshëm të kufirit, nga Shqipëria për në Itali të 55 shtetasve sirianë.
Nga aktet e administruara ka rezultuar se të pandehurit dhe bashkëpunëtorët e tyre kanë koordinuar me njëri-tjetrin në kryerjen e aktiviteteve të ndryshme kriminale edhe përmes komunikimeve në platformën e enkriptuar, “SkyEcc”, të cilat janë administruar nga autoritetet e drejtësisë franceze, në kuadër të ndihmës së ndërsjellët juridike në fushën penale.
Në përfundim të hetimeve është konkluduar se të pandehurit: Musa Gjikola, Jani (alias Ilir) Meçja, Selami Lushka, Klodjan Muça, Denis Harusha dhe Lorenzo (alias Arbër) Çadri (alias Hysko, alias Isufi, alias Çela), kanë pasur rolin e drejtuesit dhe financuesit në veprimtarinë e paligjshme kriminale në fushën e trafikimit të narkotikëve, ndërsa të pandehurit, Sokol Masha, Akil Alushi, Ledri Lulashi dhe Arian Gjata, kanë pasur rolin e pjesëmarrësve në këtë veprimtari të paligjshme.
Gjithashtu, ka rezultuar e provuar se të pandehurit, Sokol Masha dhe Akil Alushi, kanë drejtuar në dhënien ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit të shtetasve sirianë.
Si rezultat i kontrolleve të ushtruara në 8 episode që i përkasin viteve 2020 dhe 2021 (sipas akuzave që iu janë atribuuar respektivisht të pandehurve), rezulton e provuar se kanë trafikuar nga vendet e Amerikës Latine (Brazili, Ekuador) në drejtim të porteve kryesore të disa vendeve të Bashkimit Europian (Italisë, Holandës), apo nga Shqipëria për në drejtim të Greqisë dhe Gjermanisë, një sasi prej 4,340.2 kg lëndësh narkotike:
- 3635 kg lëndë narkotike e llojit kokainë
- 2 kg lëndë narkotike e llojit heroinë
- 701 kg bimë narkotike e llojit kanabis sattiva
Me qëllim identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të të pandehurve që kanë marrë pjesë në këto episode të trafikimit të lëndëve narkotike, kemi proceduar me ndarjen e akteve të procedimit penal Nr. 177 të vitit 2023, numërtimin si procedimi penal me nr. 177/2 i vitit 2026, si dhe po vijojnë hetimet rreth këtij procedimi.
SPAK falenderon autoritetet e drejtësisë braziliane, ekuadoriane, franceze, holandeze, italiane, serbe, Eurojust dhe Europol, të cilët kanë mbështetur dhe ndihmuar SPAK në këtë procedim.
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



