Hakerimi/ SPAK dërgon për gjykim Agim Ismailin dhe dy personat e tjerë
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet dhe ka depozituar pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë kërkesën për dërgimin në gjyq të procedimit penal nr. 277/1/1, datë 02.07.2025, ndaj tre personave të akuzuar për përfshirje në një skemë të paligjshme përgjimi dhe ndërhyrjeje në sisteme kompjuterike.
Të pandehurit janë Arnold Rrokaj, i cili ndodhet në masën e sigurisë “arrest në burg”, Zambak Gjoni, gjithashtu i arrestuar, si dhe Agim Ismaili, i hetuar në gjendje të lirë. Ata akuzohen për hyrje të paautorizuar në sisteme kompjuterike dhe përgjim të paligjshëm të të dhënave, vepra të kryera në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.
Sipas SPAK, Arnold Rrokaj ka aksesuar në mënyrë të paligjshme materiale hetimore të institucionit, duke ndërhyrë në sistemet kompjuterike. Një pjesë e këtyre të dhënave, që përmbanin informacion sensibël hetimor, u janë përcjellë më pas Zambak Gjonit dhe Agim Ismailit, të cilët dyshohet se i kanë shpërndarë tek persona të tjerë.
Falë reagimit të shpejtë të autoriteteve, Rrokaj dhe Gjoni u identifikuan dhe u arrestuan brenda 24 orëve, duke parandaluar përhapjen e mëtejshme të materialeve hetimore.
Nga veprimet hetimore rezulton se akuzat u zgjeruan edhe ndaj Agim Ismailit, i cili pasi u njoh me përmbajtjen e të dhënave të përgjuara, dyshohet se i shpërndau ato dhe kërkoi në mënyrë të vetëdijshme thellimin e ndërhyrjes së paligjshme në sistemet e SPAK, duke synuar sigurimin e informacioneve për persona të ndryshëm.
SPAK thekson se veprimet e të pandehurve përbëjnë një cenim serioz të sigurisë së të dhënave hetimore dhe funksionimit të drejtësisë, ndërsa çështja tashmë pritet të shqyrtohet nga Gjykata e Posaçme.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



