E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Halli me Albanian Files
OP-ED

Halli me Albanian Files

Kryeministri është në të drejtën e tij të distancohet nga Albanian Files, sa të dojë madje. Por ka një problem të vogël.

Në brendinë e librit ka projekte brenda zonave të mbrojtura, të cilat janë hartuar dy apo tre vjet përpara se të ndryshohej ligji për të lejuar ndërtimet në këto zona.

Kjo e komplikon pak situatën sepse i vendos ndërtuesit që kanë porositur këto projekte tek arkitektët e huaj, vetëm para dy mundësive.

Mundësia e parë është që ndërtuesit kanë qenë të gjithë të çmendur dhe kanë paguar arkitektët e huaj me miliona euro për të bërë projekte kot në zona, ku e dinin se nuk ndërtonin dot.

Mundësia e dytë është që kanë patur garanci se ligji do të ndryshohej dhe në zonat e mbrojtura do të lejohej ndërtimi.

Kjo është pak problem tani se nxjerr mbi tryezë tezën e kapjes së shtetit.

Garancinë se ligji për zonat e mbrojtura do të ndryshohej për të lejuar ndërtimin në to, në Shqipëri mund ta japë vetëm një njeri. I distancuari.

Ligjbërja me porosi për grupe të ngushta interesi, dhe jo në interes të qytetarëve dhe kapja e shtetit janë forma më e rëndë e korrupsionit. Këtu është fusha e SPAK.

Prokuroria e Posaçme pasi të sekuestrojë librin e projekteve duhet të shohë të gjithë praktikën proceduriale se si u ndryshua ligji i Zonave të Mbrojtura.

Deputetët nismëtarë për ndryshimin e ligjin duhen pyetur; ore si ju hipi në kokë juve, që të propozonit ndryshimin e ligjit për zonat e mbrojtura. Nga se u nisët?

Fjala vjen, Fadil Nasufi, një nga nismëtarët kryesorë të ligjit, është një ekspert shumë i madh për këto punët e zhvillimit të qëndrueshëm.

Tani, Nasufi thirret aty tek vendi dhe pyetet; Ore Fadil si të lindi ideja për të ndryshuar ligjin e zonave të mbrojtura ty?

I merret dhe telefoni dhe shihet pak aty kush i tha Fadilit me shokë që të propozojnë ligjin. Kush ja u çoi të shkruara amendamentet e ligjit, etj.

Kaq kollaj bëhet kjo.

Pastaj të distancohet kush të mundet.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.