Hapet në Hotel Plaza ekspozita më e fundit e piktorit të njohur Agim Sulaj
Ekspozitën e gjeni në sallën “Marin Barleti”
Ekspozita më e fundit e piktorit të njohur Agim Sulaj u hap sot për publikun në sallën “Marin Barleti”, në Hotel Plaza, duke sjellë disa prej veprave më të spikatura të artistit ndër vite.
Me një aktivitet të pasur brenda dhe jashtë vendit, i vlerësuar me çmime ndërkombëtare dhe pjesëmarrës në konkurse të shumta botërore, mjeshtri i karikaturës dhe pikturës vazhdon traditën e tij të ekspozitës së fundvitit në Shqipëri. Këtë herë, Sulaj ka prezantuar mbi 30 tablo, duke përfshirë punime të reja, vepra me karakter reflektues dhe piktura historike.
Në një reagim për mediat, Agim Sulaj u shpreh se ekspozita përmban edhe tablo që i dedikohen situatës së vështirë që po kalon vendi dhe bota, përfshirë veprën “Heroes”, një homazh për përballjen me pandeminë Covid-19. Krahas tyre, artisti sjell edhe një “zhytje në kujtime”, përmes pikturave të mbushura me emocione, mbresa personale dhe elementë historikë.
“Ekspozita ime e radhës për publikun shqiptar është një përmbledhje punësh që vijnë nga një vit i vështirë, por plot reflektim. Jeta dhe arti duhet të ecin përpara dhe të prezantohen pa u ndalur,” deklaroi Sulaj.
Ekspozita mbetet një tjetër dëshmi e stilit të veçantë të artistit dhe kontributit të tij të vazhdueshëm në artin shqiptar dhe ndërkombëtar.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



