Harakiri politik i opozitës në Tiranë
Publik.al | Opinion
Ajo që po ndodh me opozitën në Tiranë nuk është thjesht një lëvizje e gabuar taktike, por një vetëvrasje politike në transmetim të drejtpërdrejtë. Një sjellje kaotike, në kufijtë e amatorizmit, që flet më shumë për mungesë vizioni sesa për mungesë kohe.
Këshilltarët bashkiakë të opozitës dalin e thonë se kanë katër muaj që kërkojnë shkarkimin e Erion Veliajt dhe zgjedhje të reja. Partia Demokratike nga ana tjetër sot deklaron “do hyjmë në garë”, nesër “s’jemi të sigurt”, pasnesër “kismet”. Një teatër absurd ku mesazhi ndryshon sipas orës, ndërsa qytetarët shohin një parti që nuk di as vetë ku po shkon.
Ndërkohë, emrat që mund të ishin kandidatë seriozë, me peshë dhe potencial, nxitojnë të distancohen nga gara, si për të shmangur një humbje të paralajmëruar. Fillimisht Ilir Alimehmeti, më pas Jorida Tabaku – një valixhe bosh përpara se treni të niset. Qeveria, nga ana e saj, ka bërë publik kandidatin prej kohësh dhe e ka nisur fushatën një vit përpara. PD? Sërish në gjumë, si gjithmonë. E njëjta recetë humbëse që përsëritet si mallkim: të fillojë garën gjithmonë me një vit vonesë. Dhunti? Jo. Fatkeqësi e qëllimshme.
Në vend që të kishte ngritur prej kohësh një front të bashkuar opozitar, duke bashkuar të gjitha forcat politike dhe shoqërinë civile rreth një kandidati unik qoftë ky i PD, i një partie aleate apo i pavarur për t’i treguar publikut se kush luan me të majtën dhe kush jo, opozita endet mes deklaratave boshe.
Nëse nuk ka vullnet për garë, PD duhet të ketë guximin ta thotë hapur: “Nuk hyjmë në zgjedhje” dhe të mbajë përgjegjësitë që sjell një vendim i tillë. Por ky ping-pong deklaratash – që çfarë thuhet në mëngjes mohohet në darkë – është harakiri politik.
Një parti që nuk arrin të zgjohet nga ky gjumë vetëshkatërrues, nuk e meriton as të quhet opozitë. E në këtë shfaqje tragjikomike, qeveria thjesht rri e shikon, sepse fiton pa asnjë përpjekje.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



