Helmimi i fëmijëve në Korcë, procedohet mjekja dhe drejtoresha e kopshtit
Gjashtë fëmijë u paraqitën në spital me simptoma të ngjashme gastrointestinale, pasi kishin konsumuar ushqim në të njëjtin kopsht. Policia ka nisur procedimin penal ndaj një mjekeje të Pediatrisë dhe drejtoreshës së institucionit.
Policia e Korçës ka nisur procedimin penal ndaj një mjekeje të Pediatrisë në Spitalin Rajonal dhe drejtoreshës së kopshtit ku qëndronin gjashtë fëmijët që përfunduan në spital me simptoma të ngjashme gastrointestinale.
Sipas njoftimit zyrtar, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë kanë proceduar penalisht, në gjendje të lirë, dy shtetaset për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Rasti u bë objekt hetimi pasi, gjatë pasdites së djeshme dhe ditës së sotme, gjashtë fëmijë nga i njëjti kopsht u paraqitën në spital me simptoma të ngjashme. Dyshohet se shqetësimet shëndetësore mund të jenë shkaktuar nga ushqimi i konsumuar në kopsht.
Nga hetimet paraprake, mjekja dyshohet se nuk ka njoftuar Policinë për paraqitjen e fëmijëve me simptoma të ngjashme, ndërsa drejtoresha e kopshtit dyshohet se nuk ka përmbushur detyrimin funksional për kontrollin dhe verifikimin e ushqimit që u është servirur të miturve.
Hetimet vijojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të përcaktuar shkakun e problemeve shëndetësore të fëmijëve.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



