Një ngjarje e rëndë është denoncuar nga prindër në qytetin e Gramshit, ku pretendohet se rreth 70 fëmijë të Kopshtit Nr. 1 janë infektuar me salmonelë pas konsumimit të një vakti me supë pule. Deri më tani nuk ka asnjë reagim zyrtar nga autoritetet shëndetësore apo bashkia, ndërsa situata vazhdon të rëndohet nga mungesa e transparencës dhe përgjegjësisë institucionale.
Një prej prindërve, në një mesazh për median shkruan:
“Unë që po ju shkruaj jam një prind i një fëmije 3-vjeç që analizat më kanë nxjerrë me salmonelë. Kopshti ku djali është nuk mban përgjegjësi. Është kopsht shtetëror dhe janë sëmurur të 70 fëmijët që janë aty, po e mbajnë të fshehtë. Kopshti nr. 1 në Gramsh. Po ju çoj analizat e djalit tim dhe dorën me vigon. Edhe pas daljes në lajme për pulat me salmonelë, është përdorur sërish për gatim. Deri tani kanë dalë përgjigjet për 30 fëmijë me salmonelë. Djali ka që të hënën me shenja vjellje, një javë i sëmurë.”
Një tjetër denoncim, po ashtu i bërë publik, shprehet:
“Dua të bëj një denoncim. Në qytetin e Gramshit, fëmijët e Kopshtit nr. 1 janë infektuar me salmonelë pasi janë ushqyer me pula, të cilat para pak kohësh u denoncua se ishin me salmonelë. Autoritetet përkatëse nuk kanë asnjë reagim dhe spitali është plot me fëmijët e atij kopshti, me simptoma si bark me gjak, të vjella dhe temperaturë të lartë. Kam nipin me vigon në dorë. Ja edhe analiza.”
Simptomat alarmante që kanë shfaqur fëmijët përfshijnë: të vjella, temperaturë të lartë, dhimbje stomaku dhe, në disa raste, diarre me gjak. Disa prej tyre janë shtruar në spital për trajtim urgjent.
Salmonela është një bakter i rrezikshëm që shkakton infeksione të traktit tretës dhe përhapet shpesh përmes ushqimeve të papërpunuara mirë, si mishi dhe veza. Në raste të rënda, sidomos tek fëmijët e vegjël, mund të çojë në dehidratim të rëndë dhe komplikacione të tjera serioze.
Prindërit janë të alarmuar dhe kërkojnë që të kryhen menjëherë ekzaminimet e nevojshme mjekësore për të gjithë fëmijët që kanë frekuentuar kopshtin, si dhe hetim të plotë mbi ushqimet e konsumuara. Ata shprehen të revoltuar për mungesën e reagimit institucional dhe kërkojnë ndërhyrje urgjente për të garantuar shëndetin e fëmijëve.
Aktualisht, mungesa e një deklarate zyrtare nga institucionet përkatëse ka shtuar edhe më shumë panikun mes qytetarëve, ndërsa kërkesat për transparencë dhe përgjegjësi janë shtuar.