E mërkurë, 21 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Heroinë, kokainë dhe përplasje, kapet 45-vjeçari që sfidoi policinë
Lajme

Heroinë, kokainë dhe përplasje, kapet 45-vjeçari që sfidoi policinë

Një 45-vjeçar me precedentë të dyshuar për trafik të drogave të forta dhe vjedhje është arrestuar nga Policia e Durrësit, pas një ndjekjeje të rrezikshme në qytet. Bëhet fjalë për Julian Ismailajn, i cili u kap teksa tentonte të largohej me shpejtësi nga shërbimet policore, ndërsa drejtonte automjetin nën efektin e lëndëve narkotike.

Sipas bluve, gjatë tentativës për t’iu shmangur arrestimit, 45-vjeçari përplasi automjetin që drejtonte me mjetin e Policisë që e kishte vënë në ndjekje. Nga përplasja pati vetëm dëme materiale.

Gjatë kontrollit të ushtruar në automjet, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan sasi heroine, kokaine, si edhe një elektroshok, të cilat dyshohet se përdoreshin në aktivitetin kriminal.

Hetimet zbuluan se automjeti ishte marrë me qira nga një shtetas tjetër, i cili tashmë është shpallur në kërkim, si bashkëpunëtor në shitjen e lëndëve narkotike. Po ashtu, në kërkim është shpallur edhe një tjetër person, i dyshuar si bashkëpunëtor në vjedhje.

Ngjarja lidhet me një operacion policor të koduar “Përfshirja e shumëfishtë”, i finalizuar pas një kallëzimi për kanosje. Në këtë kuadër, Policia procedoi penalisht edhe një 36-vjeçar nga Kavaja, i cili dyshohet se kishte kanosur një shtetas për motive të dobëta, duke përdorur një pistoletë lodër që u sekuestrua si provë materiale.

Nga verifikimet e mëtejshme rezulton se 45-vjeçari i arrestuar dyshohet gjithashtu se, në bashkëpunim me persona të tjerë, ka kryer vjedhje në një servis automjetesh, ku janë marrë bateri dhe sasi karburanti.

Policia e Durrësit bën me dije se vijon puna për kapjen e dy bashkëpunëtorëve të shpallur në kërkim, ndërsa hetimet po zhvillohen nën drejtimin e Prokurorisë për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme ligjore.

Njoftimi i policisë:

I përfshirë në shitje drogash të forta, autor i dyshuar vjedhjesh dhe posedues armësh të ftohta, arrestohet 45-vjeçari.

I arrestuari, gjatë tentativës për t’u larguar, përplasi me automjetin që drejtonte në efektin e lëndëve narkotike, automjetin e Policisë që i ishte vënë në ndjekje.

Nga kontrolli në automjet u gjetën sasi Heroine, sasi Kokaine dhe 1 elektroshok.

-Shpallet në kërkim 1 bashkëpunëtor i 45-vjeçarit, në vjedhje, dhe 1 bashkëpunëtor tjetër, në shitjen e lëndeve narkotike (ky i fundit i kishte dhënë 45-vjeçarit, automjetin, me qira).

-Procedohet penalisht një shok i 45-vjeçarit, pasi dyshohet se për motive të dobëta, kanosi një shtetas, me pistoletë lodër.

Si rezultat i ndërhyrjes së shpejtë dhe koordinimit të veprimeve operacionale, menjëherë pas një kallëzimi të marrë për një rast kanosjeje, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale dhe me shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, finalizuan operacionin e koduar “Përfshirja e shumëfishtë”.

Gjatë operacionit u identifikua shtetasi që dyshohet se kishte kanosur kallëzuesin, për motive të dobëta, E. H., 36 vjeç, banues në Kavajë, për të cilin nisi procedimi penal në gjendje të lirë. Në automjet, 36-vjeçarit iu gjet pistoleta lodër me të cilën dyshohet se kreu kanosjen. Sendi u sekuestrua me cilësinë e provës materiale.

Në momentin e konstatimit të 36-vjeçarit, ai shoqërohej me shtetasin J. I., 45 vjeç, banues në Durrës, i cili sapo ka parë afrimin e shërbimeve të Policisë, është larguar me shpejtësi, me automjet. Shërbimet i janë vënë menjëherë në ndjekje dhe kanë mundësuar arrestimin e tij. 45-vjeçari gjatë lëvizjes me shpejtësi, ka përplasur me automjet, automjetin e Policisë. Si pasojë pati vetem dëme materiale.

Nga verifikimet ka rezultuar se shtetasi J. I. e drejtonte automjetin që kishte marrë me qira nga shtetasi B. M., 51 vjeç, në efektin e lëndëve narkotike. Nga kontrolli në automjet u gjetën sasi drogash të forta (Heroinë dhe Kokainë) dhe 1 elektroshok.

Si rezultat i verifikimeve të mëtejshme dyshohet se shtetasi J. I., në bashkëpunim me shtetasin V. K., 32 vjeç, ka vjedhur mëngjesin e djeshëm, në një servis për automjete, bateri automjeti dhe sasi nafte.

Vijon puna për kapjen e 2 bashkëpunëtorëve të 45-vjeçarit, si dhe vijojnë hetimet në drejtimin e Prokurorisë së Durrësit, për të dokumentuar plotësisht, me prova ligjore veprimtaritë kriminale ku është përfshirë ky shtetas.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.