Hesapi i pambyllur mes Ramës e Metës
Kishte gjithë tiparet e një lëvizjeje të dëshpëruar paralajmërimi i Ilir Metës, se si President i ardhshëm i Republikës, nuk do dekretonte një kryeministër e ministra të dalë nga zgjedhje jo të lira.
E pakuptimtë, jo vetëm se nga ana institucionale, kjo lëvizje ka fare pak shanse të zgjasë, pasi më e pakta, provat për të mbështetur manipulimin e zgjedhjeve nuk po na i jep as vetë LSI, që flet për intimidim të votuesve nga Haki Çako. Por, nëse do ndodhte, si pasojë e vullnetit individual, thjesht do prodhonte një ngërç të përkohshëm institucional, që do zgjidhej nga Gjykata Kushtetuese, por që mund të sillte mërinë e ligjshme të të zgjedhurve të rinj në Kuvend, për të iniciuar një “impeachment”, si kundërpërgjigje. Shkurt, një lëvizje e tillë nuk do i shërbente askujt.
Është befasuese se sa kredite po i jep, krejt pa e kuptuar Ilir Meta, Edi Ramës, me këto taktika të diktuara nga humbja e qetësisë e jo nga logjika e një politikani, që në 27 vjet eksperiencë politike ka parë e provuar shumë.
Natyrisht, Ilir Meta nuk e ka aspak të thjeshtë, sepse tani ka përballë një makinerie të sofistikuar propagande, me orkestrues e dirigjues vetë Edi Ramën. E ka provuar në lëkurë në janar të 2011, por këtë herë, në vend të Doktorit në krah ka Lulzim Bashën, nga ana e Edi Ramës. Ky i fundit tashmë e ka lënë pas Edin që lutej në darkën e ngjalave dhe me fuqinë e pushtetit, të siguruar falë aftësive natyrore bindëse, po na dëshmon se resurset e fantazisë, jo vetëm politike, për t’ia hedhur situatave, i ka të pashtershme. Për pasojë, nuk është faj, por meritë, nëse politikanë me 27 vjet eksperiencë nuk i parashikojnë dot lëvizjet e tij politike.
Pas katër vitesh si kryeministër, Edi Rama po kërkon një mandat të dytë, me premtimin indirekt, se do i heqë Ilir Metës fuqinë e aktorit që përcakton nga shkon peshorja e pushtetit. Duket një taktikë e mirëllogaritur nga Edi Rama, që rastësisë nuk i lë as garën brenda partisë së vet. I njëjti Edi Rama, që vetëm më 13 prill të 2017, kur Basha ndodhej në çadër, në lutjen e radhës publike për Metën, që t’i bashkohej në koalicion, artikulonte qartë se demokratët fitojnë vetëm nëse e majta është e ndarë.
Një mirëkuptim i përgjithshëm publik, e një heshtje miratuese ndërkombëtare, me Lulzim Bashën në krah do ia lehtësojnë këtë taktikë, që po e shet si aksion historik.
Por çka nuk shkon e po zhurmohet nga “fati politik” i Ilir Metës është qasja e Ramës tek votuesit, si kryeministri që paska qenë “viktima” e heshtur dhe e duruar 4-vjeçare e Ilir Metës dhe e Shpëtim Idrizit.
Padyshim që është faji i Edi Ramës dhe përgjegjësi e tij për çka denoncon si “pengmarrje”, që i paska bërë Ilir Meta e Shpëtim Idrizi në thelat që u ka dhënë nga tepsia e pushtetit.
Është faji i Edi Ramës, që nëse ka konstatuar abuzime me detyrën, me taksat e shqiptarëve, me institucionet e shtetit, siç po i denoncon tani që kërkon votën, ka heshtur, duke mbrojtur karrigen e vet, pa asnjë merak për çfarë po i ndodhte atij shtetit që thotë se po bën, apo njerëzve të thjeshtë, me apo pa PS, nga “abuzuesit” që i garantonin votat, që Edi Rama të ruante pushtetin.
Tani përballë këtyre “pengmarrësve”, kryeministri nuk po arrin të na japë qoftë edhe një model të vetëm, se si njerëzit e PS në institucione paskërkan qenë përkushtimi vetë për të bërë shtet. Janë raportuar në media e rrjetet sociale, rastet e funksionarëve të Edi Ramës, që nuk kanë qenë aspak engjëj në këto katër vjet. Një pjesë, pasi i largoi pa zhurmë nga postet, pasi e kishin bërë baltë me abuzimin pa frena, i ka strehuar në listat e veta të kandidatëve për deputetë, si pjesë e ekipit që do “shkrihet” për Shqipërinë e gjeneratës tjetër.
Për pasojë, lutjet e kryeministrit për ta pasur i vetëm timonin, më shumë se shqiptarëve, do i shërbejnë spastrimit të rrugës për të realizuar pa kokëçarje, çdo trill artistik apo lunatik, që nga stadiumi me kullë, a kullat pa lidhje në qytete me arkitekturë tradicionale për t’u pasur zili, tek telendisja publike e mediave, ndërsa jashtë kamerave, me to flirton, më shumë se miqësisht.
Lufta ndaj partive të vogla, përtej anës parimore, se ato vetë në këto 27 vjet demokraci nuk kanë prodhuar një model identifikues, si një e mirë publike për vendin është fatkeqësisht një akrobaci politike për t’ia hedhur llogaridhënies edhe këtë herë.
Edi Rama po e ndjek pikë për pikë këtë taktikë, jo vetëm se ka Bashën që po i jep një dorë duke i mbështetur sulmet ndaj LSI-së e PDIU-së, por edhe se këto dy të fundit duken si peshku pa ujë, me argumente mbrojtëse sa të vakëta, aq edhe të varfra, që më shumë se ta dëmtojnë, thjesht i japin kredite të pamerituara aksionit të mirëllogaritur të Edi Ramës.
“Pabesia” nuk është një argument mbrojtës, që mund të ketë interes për Bashën, që ka një marrëveshje me Ramën, por që nuk u hyn fare në xhep qytetarëve taksapagues, që do votojnë më 25 qershor. Kanabizimi i vendit do ishte një kartë e fortë me impakt publik, nëse LSI nuk do kishte pranuar të sakrifikonte Ylli Manjanin, kur ai ia plasi në publik e në mënyrë të përsëritur Edi Ramës fenomenin që po lulëzonte, edhe në dijeninë e tij, njëlloj si kartonët jeshilë pro ligjeve të Edi Ramës në 4 vjet, që sot po denoncohen.
Efekti diskretitues ndaj LSI-së ka ngjitur edhe me ndihmën e Lulzim Bashës, për pasojë tani Rama nuk do ketë më interes të merret direkt me të në fushatë.
Hapësirat e LSI-së janë ngushtuar ndjeshëm e nga argumentet e varfra mbrojtëse, duket se ka edhe një krizë idesh politike në atë parti. Nga fjalët e korridoreve se Meta mund të japë dorëheqjen si president, tek rikthimi i zhurmës së prangave nëpër ca korridore të tjera, tek paralajmërimi i dëshpëruar për mosmandatim të kryeministrit të ardhshëm, gara e 25 qershorit duket se do të jetë tejet e ashpër, e aspak e qetë. Hesapi mes Ramës e Metës ka mbetur i hapur e 25 qershori do jetë momenti për ta mbyllur, a hapur një rrugicë të re, që në secilin rast, emërues të përbashkët do ketë pushtetin e jo shtetin.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



