Hetimi pasuror i trafikantit Xhafa dhe deputetit Xhafa, test i ri për SPAK-un
Naim Noka
Drejtësia në Shqipëri: Precedenti i rrezikshëm që po ndërtohet në hijet e pushtetit
Ervin Salianji, ish-deputeti demokrat që tashmë po vuan një dënim për “shpifje”, bëri një lëvizje të fortë politike: ai paralajmëroi një kallëzim penal ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.
Lëvizja e tij duket si një përpjekje për të ndezur një debat të ri në skenën politike, duke kërkuar hetimin e pasurisë së Xhafajt dhe të familjes së tij, përfshirë vëllain e dënuar për trafik droge dhe krim të organizuar. Por kjo nuk është vetëm një lëvizje taktike e një politikani tashmë në qeli; është një thirrje alarmi për shtetin e drejtësisë në Shqipëri.
Në qendër të akuzave të Salianjit qëndron fakti se pasuria e familjes Xhafaj nuk është hetuar ashtu siç e kërkon ligji për personat e dënuar për krim të organizuar.
Nëse ky hetim nuk ka ndodhur për Agron Xhafajn, përse duhet të besojmë se SPAK-u i reformuar është një institucion i pavarur?
Për më tepër, lidhjet e ngushta të Fatmir Xhafajt me krijimin e SPAK-ut dhe ndikimin e tij brenda këtij institucioni, krijojnë një atmosferë dyshimi që e bën edhe më të pamundur një hetim të drejtë dhe të pavarur.
Fatmir Xhafaj, një nga arkitektët e reformës në drejtësi, ka vendosur vetë gurët e shahun në këtë lojë, duke krijuar një rrjet ndikimi brenda SPAK, që tani duket se po përdoret për mbrojtjen e interesave personale.
Akoma më shqetësues është fakti se vetë Xhafaj po përpiqet të krijojë një komision anti-SPAK për të kontrolluar edhe më shumë këtë institucion. A duhet të besohet se ky institucion do të hetojë me paanshmëri njeriun që e krijoi dhe që tani po përpiqet ta manipulojë?
Përtej këtij teatri politik, precedenti që po krijohet është më i rrezikshëm sesa duket. Edi Rama ka në radhë ministra dhe zyrtarë të lartë të cilët kanë bërë pasuri të dyshimta me miliarda, por në vend që të përballen me drejtësinë, vijojnë ose në zyrat e shtetit ose ne biznes privat të pashqetësuar. Ndërsa Salianji, një figurë politike, përfundon në burg për shpifje, ministrat që duhet të kalbeshin në qeli për korrupsion të dokumentuar vazhdojnë të mbrohen nga një sistem që po përdridhet nën urdhrat e pushtetit. Drejtësia e re, në vend që të pastronte Shqipërinë nga korrupsioni, po luan prokurorësh dhe gjykatësish në favor të oligarkëve dhe të fuqishmëve.
Ky rast nuk është vetëm një hakmarrje ndaj një politikani opozitar, por një mesazh për të gjithë: kushdo që guxon të sfidojë pushtetin, qofshin gazetarë apo qytetarë të thjeshtë, mund të shkatërrohet. Salianji nuk është vetëm një viktimë politike; ai është sinjali se drejtësia shqiptare po përdoret si një armë kundër kujtdo që guxon të denoncojë krimin e organizuar dhe korrupsionin qeveritar.
Çfarë duhet të presin gazetarët që publikojnë çdo ditë skandale të provuara, por që Rama i etiketon si shpifje? Çfarë mund të bëjë një qytetar i thjeshtë nëse makina e pushtetit e zgjedh për ta shkatërruar? Në një vend ku drejtësia bie në duart e politikanëve, askush nuk është i sigurt. Ky precedent është një dritë e kuqe për të gjithë: kur drejtësia përdoret si armë politike, ajo pushon së ekzistuari si një institucion i pavarur dhe shërben vetëm për mbrojtjen e interesave të atyre që kontrollojnë pushtetin.
Ky është realiteti i rrezikshëm që po ndërtohet në Shqipëri: një drejtësi që mbron të korruptuarit dhe godet kundërshtarët politikë. Nëse ky precedent nuk sfidohet sot, nesër mund të përfshijë secilin prej nesh.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco




