Hetimi për grupin Çopja-Çela, SPAK sekuestron 77 milionë lekë pasuri
Tokë, kompani dhe 25 automjete
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur nën sekuestro preventive pasuri me vlerë 77 milionë lekë, në kuadër të hetimeve për grupin e dyshuar kriminal Çopja–Çela, që lidhen me trafikimin ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe pastrimin e parave.
Masa është caktuar nga Gjykata e Posaçme me vendimin e datës 14 tetor 2026, në kuadër të procedimit penal nr. 187/2023. Hetimi pasuror është zhvilluar paralelisht me hetimin penal, me qëllim identifikimin e aseteve që dyshohet se janë krijuar ose përfituar nga veprimtaria kriminale.
Sipas të dhënave të bëra publike nga SPAK, pasuritë e sekuestruara rezultojnë të regjistruara në emër të personave nën hetim dhe familjarëve të tyre.
Tokë në Sharrë, kompani dhe 25 automjete
Mes pasurive të përfshira në vendimin e gjykatës është një tokë arë me sipërfaqe 2,000 metra katrorë në zonën e Sharrës, në Tiranë. Prona rezulton në emër të shtetasit A.Ç., në bashkëpronësi me një shtetase tjetër me inicialet A.Ç.
Nën sekuestro janë vendosur gjithashtu kuotat që përfaqësojnë 100% të shoqërisë tregtare “Check Company” sh.p.k., me adresë në rrugën e Dibrës në Tiranë.
Në pronësi të kësaj kompanie rezultojnë 25 automjete, të cilat janë përfshirë në masën e sigurimit pasuror. Vlera e përgjithshme e aseteve të bllokuara, sipas njoftimit të prokurorisë, arrin në 77 milionë lekë.
Sekuestrimi synon të parandalojë tjetërsimin e pasurive gjatë kohës që vijojnë hetimet për origjinën e tyre dhe lidhjet e mundshme me aktivitetin e dyshuar kriminal.
Hetimet për kokainën dhe pastrimin e parave
Sipas SPAK, grupi i dyshuar kriminal kishte shtrirje ndërkombëtare dhe bashkëpunonte me organizata të tjera për transportimin e sasive të mëdha të kokainës nga Amerika Latine drejt porteve evropiane.
Në kuadër të hetimeve janë identifikuar dërgesa të lëndëve narkotike drejt disa prej pikave kryesore të hyrjes në Evropë, përfshirë Hamburgun në Gjermani dhe Antverpin në Belgjikë.
Një nga drejtimet kryesore të hetimit ka qenë gjurmimi i parave që dyshohet se janë përfituar nga trafiku i narkotikëve dhe mënyra se si këto të ardhura mund të jenë investuar në pasuri të paluajtshme dhe aktivitete tregtare, brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Për këtë qëllim, hetuesit kanë analizuar komunikimet e enkriptuara në platformën Sky ECC, ndërsa hetimi është mbështetur në bashkëpunimin me Europol-in dhe autoritetet ligjzbatuese të Belgjikës, Francës, Holandës, Gjermanisë dhe Italisë.
Sipas prokurorisë, analizimi i të dhënave ka ndihmuar në identifikimin e roleve të personave të dyshuar dhe në dokumentimin e lëvizjeve të shumave monetare që dyshohet se burojnë nga veprimtaria kriminale.
16 persona nën masa sigurie
Procedimi penal nr. 187/2023 përfshin dyshime për trafikim të lëndëve narkotike, pastrim të produkteve të veprës penale, krijim të grupit të strukturuar kriminal dhe kryerje të veprave penale në kuadër të organizatës kriminale.
Në kuadër të këtij hetimi, ndaj 16 personave janë caktuar masa sigurimi personal.
Vendimi për sekuestrimin e pasurive përbën një tjetër fazë të hetimit financiar, përmes të cilit SPAK synon të identifikojë dhe të bllokojë asetet që dyshohet se kanë lidhje me aktivitetin e paligjshëm.
Sekuestrimi preventive nuk përbën vendim përfundimtar mbi origjinën e pasurive apo fajësinë e personave të përfshirë. Të gjithë personat nën hetim prezumohen të pafajshëm deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.
Njoftimi i SPAK:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në kuadër të procedimit penal nr. 187 të vitit 2023 ka zhvilluar paralelisht edhe hetimin pasuror. Ky hetim ka identifikuar pasuri që përbëjnë produkte të veprimtarisë kriminale në emër të subjekteve në hetim dhe familjarëve të tyre.
Me vendimin nr.667, datë 14.10.2026, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë caktoi masën e sigurimit pasuror “sekuestro preventive” mbi pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme në emër të shtetasve A.Ç. dhe F.C., me vlerë totale 77.000.000 lekë.
Në emër të shtetasit A.Ç:
Pasuria nr. 349/47, zona kadastrale 3321, vol. 12, faqja 5, “Tokë Arë”, me sipërfaqe 2000 m2, e ndodhur në Sharrë, Tiranë, në pronësi edhe të shtetases A.Ç.
Në emër të shtetasit F.C:
Kuota 100% të shoqërisë tregtare ‘Check Company Sh.p.k, në rrugën e Dibrës, Tiranë.
Gjithsej janë 24 automjete Volksëagen (modeli Ioniq5 dhe ID3, ID4 ) dhe 1 Toyota (modeli bZ3) në pronësi të kësaj kompanie.
Veprat penale në hetim
Procedimi penal nr. 187/2023 përfshin veprat penale të parashikuara nga nenet 283/a, 287, 333/a dhe 334 të Kodit Penal:
Trafik i lëndëve narkotike;
Pastrim i produkteve të veprës penale;
Grup i strukturuar kriminal;
Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal.
Shtetasit nën hetim janë: E.Ç, A.Ç, A.Ç (alias D.Ç), F.B (alias J.B), D.D, P.L (alias P.S.), F. G (alias F.Ç, alias F.H.Ç, S.P (alias V.P), G.Ç, R.M, M.K, M. M, E. Ç, R.Ç, K.Gj dhe D.P.
Rrjedha e hetimit
Organizata kriminale me shtrirje të gjerë ndërkombëtare bashkëpunonte me grupe të tjera kriminale për të lehtësuar transportet e lëndëve narkotike drejt porteve evropiane dhe investonte fitimet e mëdha në prona dhe biznese në Shqipëri dhe jashtë saj. Hetimet përfshinë bashkëpunimin intensiv me EUROPOL dhe autoritete nga Belgjika, Franca, Holanda, Gjermania dhe Italia, u bazuan në analizën e të dhënave të komunikimit të enkriptuara të platformës SkyEÇ. Nga këto hetime janë zbuluar dërgesa shumëtonëshe kokaine nga Amerika Latine drejt porteve kryesore të BE-së, përfshirë Hamburgun, Anversin etj. Gjithashtu janë evidentuar rolet përkatëse të secilit prej pjesëtarëve të grupit kriminal si dhe është dokumentuar i gjithë zinxhiri i transferimit të shumave monetare të përfituara nga aktiviteti kriminal.
Në kuadër të këtij procedimi penal janë caktuar masa të sigurimit personal ndaj 16 personave.
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



