E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Hetimi për sulmin kibernetik, Agim Ismaili paraqitet në SPAK
Lajme

Hetimi për sulmin kibernetik, Agim Ismaili paraqitet në SPAK

Ish-drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Agim Ismaili, është paraqitur këtë të martë në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), në kuadër të hetimeve që po zhvillohen lidhur me sulmin kibernetik ndaj institucioneve të drejtësisë.

Ismaili është nën hetim për disa vepra të rënda penale, mes të cilave “Përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”, “Grupi i strukturuar kriminal” si dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Sulmi ndaj sistemit kompjuterik të SPAK është regjistruar më 12 mars, ndërsa u bë publik disa ditë më vonë. Më 3 prill, Prokuroria e Posaçme konfirmoi zyrtarisht se ishte shënjestër e një ndërhyrjeje të paligjshme, ku ishte tentuar komprometimi i adresave të email-it të prokurorëve të posaçëm.

SPAK sqaroi se, pavarësisht tentativës, nuk u arrit të depërtohej në sistemin e brendshëm apo në dosjet hetimore. Megjithatë, autorët dyshohet se kanë arritur të sigurojnë disa të dhëna, pa akses në materialet hetimore. Sipas njoftimit zyrtar, objektiv i sulmit ka qenë edhe email-i i drejtuesit të SPAK, Altin Dumani.

Në fazat e para të hetimit, si të dyshuar kryesorë u identifikuan dhe u arrestuan ish-drejtori i paraburgimit të Vlorës, Zambak Gjoni, si dhe ish-punonjësi i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit, Arnold Rrokaj. Sipas dyshimeve të SPAK, këta persona kanë shpërndarë të dhënat e përfituara edhe te individë të tjerë, roli i të cilëve vijon të verifikohet nga organet e hetimit.

Hetimet për këtë çështje janë në vijim, ndërsa SPAK ka paralajmëruar se do të ketë zhvillime të tjera lidhur me përgjegjësit dhe shtrirjen e plotë të aktivitetit kriminal.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.