Historia që tronditi fshatin Frashër të Fierit
Fier, 25 Korrik 2025 – Një krim i rëndë tronditi opinionin publik mbrëmjen e 23 korrikut në fshatin Frashër të Fierit.
PAMJE NGA VENDNGJARJA
Një vajzë 26-vjeçare, Emelinda Rama,
ka pranuar para hetuesve se ka mbytur me tel babanë e saj, Anesti Rama, 56 vjeç. Pas aktit të rëndë, ajo dhe e ëma Valbona Rama tentuan të inskenojnë vdekjen si aksidentale, duke pastruar trupin dhe duke njoftuar Policinë me një version të rremë.
Por e vërteta nuk vonoi të dalë në dritë. Hetuesit vunë re shenja të dukshme dhune në trupin e viktimës, përfshirë edhe dëmtime në pjesët intime, duke hedhur poshtë pretendimet fillestare. Ekspertiza e mjekësisë ligjore, si dhe hetimi intensiv, çuan në rrëfimin e plotë të së bijës, e cila rrëfeu se kishte kohë që e urrente të atin për shkak të “fanatizmit dhe trajtimit patriarkal” që ai ushtronte në familje.
“Më ka nxirë jetën. Nuk më blinte as rroba, më mbante pa para, nuk më lejonte të dilja e të argëtohesha”, ka deklaruar Emelinda para Policisë, duke shtuar se vendimin për ta vrarë e kishte menduar prej kohësh.
Ndërkohë, në pranga përfundoi edhe nëna, Valbona Rama, e cila akuzohet për fshehje të krimit dhe pengim të drejtësisë, pasi ndihmoi në pastrimin e trupit dhe në inskenimin e ngjarjes.
Një tablo dhune e heshtur
Dëshmitë e fqinjëve dhe të afërmve kanë ngritur dyshime se Anesti Rama kishte kohë që vuante në heshtje dhunën psikologjike dhe fizike në familje. Ai flinte në kuzhinë, ndërsa gruaja dhe vajza përdornin dhomat e shtëpisë njëkatëshe. Sipas kunatës dhe kryeplakut të fshatit, ai dhunohej sistematikisht, mbahej i izoluar dhe shpeshherë lihej pa ushqim.
“E kishin lënë më vete, nuk i jepnin para, e rrihnin dhe e poshtëronin. Kishte gjak në pjesën e pasme të kokës”, tha një nga nipërit e viktimës.
Një nga pistat e hetimit është se vrasja është parapërgatitur me kujdes. Viktima ishte dërguar pak ditë më parë tek kardiologu – një përpjekje e dyshuar për të krijuar alibinë e një vdekjeje natyrale.
Hetimet vijojnë
Prokuroria e Fierit, në bashkëpunim me Policinë, po heton për të dokumentuar tërësisht motivet që çuan në këtë akt makabër. A ka qenë ky një shpërthim i dhunës së grumbulluar ndër vite, një hakmarrje ndaj një babai autoritar, apo një tjetër rast dhune të kthyer në vrasje? Përgjigjet pritet të vijnë në ditët në vijim.
Familjarët dhe opinioni publik kërkojnë drejtësi, ndërsa tragjedia e familjes Rama mbetet një kujtesë e dhimbshme e dramave të heshtura brenda mureve të shtëpive shqiptare.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



