Historike! “Noc Rroku” premton pasaportë europiane për popullin
Albert Mero
Pasi premtimet për rroga më të larta, shëndetësi moderne, drejtësi të pavarur dhe Shqipëri europiane dolën të jenë thjesht shaka të hidhura, Edi Rama—ose siç e quan populli me dashuri të detyruar, “Noc Rroku” i politikës shqiptare—ka nxjerrë nga mënga mashtrimin e radhës: një pasaportë me pullë “Made in BE”!
Po, po, nuk është më çështje reformash, nuk është më çështje zhvillimi. Jo, tani mjafton një votë dhe hop—shqiptarët do të kenë pasaportë europiane!
Me fjalë të tjera: votoni PS-në dhe më 2030, në vend të një jete më të mirë, do të merrni një copë letër me një logo shtesë. Një truk i vogël grafik, një mashtrim optik, një letër e shenjtë nga “Ati i Rilindjes”, që sipas tij do t’ju bëjë të ndiheni si francezë, gjermanë apo austriakë—ndërkohë që realiteti juaj do të jetë i njëjti: punë në të zezë, biletë autobusi për Gjermani dhe radhë në ambasadën greke për vizë pune.
Nga “Shqipëria që duam” tek “Pasaporta që duam”
Në vend që të sjellë Europën në Shqipëri, Rama premton ta çojë Shqipërinë në Europë—por vetëm në letër! Nëse deri tani shqiptarët kanë parë rrënim ekonomik, emigrim masiv dhe korrupsion galopant, tani do të kenë një dizajn të ri në pasaportë për ta ndjerë veten më europianë.
• “Ne mund të mbyllim historinë poshtëruese,” thotë Noc Rroku, sikur faji për këtë histori të ishte i popullit dhe jo i bandës që ka drejtuar vendin për vite me radhë.
• “Mos të na shohin më si dele të zeza,” vazhdon ai, duke harruar se delet e vërteta nuk janë qytetarët e lodhur, por ata që kanë ndjekur qorrazi liderin e tyre nga një mashtrim në tjetrin.
Deri dje premtonte Europën, tani premton sticker-in e Europës mbi një pasaportë që shqiptarët e përdorin kryesisht për t’u larguar nga ky vend.
Do të thotë kjo që një dizajn i ri do të fshijë korrupsionin, do të zhbëjë varfërinë dhe do të ndalë eksodin?
Sigurisht që jo! Sepse ky është një mashtrim me afat skadence të gjatë—një karamele e hedhur për një mandat tjetër, një mashtrim për vitin 2030, kur ndoshta vetë Rama do të jetë ulur në ndonjë kafene në Paris, duke shijuar pasaportën e tij të vërtetë europiane.
Ndërkohë, qytetarët do të vazhdojnë:
• Të rrinë në radhë në ambasada për viza pune , sepse pasaporta me “stampë BE” nuk do të ndryshojë asgjë.
• Të mbledhin dokumente për azil, sepse jeta në Shqipëri do të vazhdojë të jetë një betejë për mbijetesë.
• Të shohin sesi “Noc Rroku” u premton një copë letër, ndërsa oligarkët e tij vazhdojnë të blejnë prona në Dubai dhe Paris.
Mandati i katërt – apo mashtrimi final?
Rama e di se nuk mund të premtojë rritje rrogash, sepse ekonomia që ai ka ndërtuar është një gropë e zezë. Nuk mund të premtojë arsim apo shëndetësi më të mirë, sepse këto i ka shkatërruar me privatizime dhe tendera klientelistë. Nuk mund të premtojë një Shqipëri më të mirë, sepse është peng i sistemit që vetë ka ndërtuar.
Por mund të premtojë një pasaportë false. Një fasadë. Një shpresë të rreme, që realiteti ta gjejë popullin shqiptar sërish të zhgënjyer, por kësaj here me një logo të re në xhep.
Dhe kur realiteti t’u trokasë në derë, kur as logoja e re të mos i shpëtojë nga emigrimi, nga varfëria dhe nga korrupsioni i pashtershëm, ndoshta do të kuptojnë se Noc Rroku u dha një copë letër – kur në fakt u kishte marrë gjithçka.
Nëse shqiptarët duan të shohin Europën, nuk kanë nevojë për një pasaportë me stampë të re—por për një qeveri të re. Dhe këtë, sado logo të reja të shtojë Rama në pasaportë, nuk mund ta fshehë më.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



