E hënë, 19 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Horror në Spanjë, përplasen trenat, shkon në 39 numri i viktimave
Bota

Horror në Spanjë, përplasen trenat, shkon në 39 numri i viktimave

Një ngjarje tragjike ka tronditur Spanjën mbrëmjen e djeshme, pasi një aksident i rëndë hekurudhor është regjistruar në linjën e trenave me shpejtësi të lartë që lidh rajonin e Andaluzisë.

Sipas informacioneve paraprake, disa vagonë të një treni kanë dalë nga binarët dhe kanë hyrë në korsinë e kundërt, ku janë përplasur me një tjetër tren që po lëvizte në drejtim të kundërt. Përplasja e fortë ka shkaktuar dëme të mëdha dhe pasoja të rënda për pasagjerët.

Autoritetet kanë konfirmuar se deri tani janë shënuar të paktën 39 viktima, ndërsa numri i tyre pritet të ndryshojë. Ministria e Shëndetësisë e Andaluzisë ka bërë të ditur se bilanci mbetet ende i paqartë, pasi tre vagonë kanë përfunduar në një zonë të vështirë për ndërhyrje, duke e komplikuar operacionin e shpëtimit. Burime nga shërbimet emergjente dhe dëshmitarë okularë flasin për rreth 100 persona të plagosur, disa në gjendje kritike, si dhe për pasagjerë që vazhdojnë të jenë të bllokuar mes strukturave metalike të deformuara.

Në aksident janë përfshirë një tren i linjës Iryo, që udhëtonte nga Malaga drejt Madrid Puerta de Atocha, si edhe një tren i Renfe/Alvia, i cili kishte destinacion qytetin Huelva.

Ministri i Transportit i Spanjës, Óscar Puente, ka reaguar në rrjetin social X, duke sqaruar se vagonët e fundit të trenit Iryo kanë dalë nga shinat dhe kanë pushtuar binarin e kundërt, ku po kalonte treni tjetër. Sipas tij, impakti ka qenë jashtëzakonisht i fortë, duke sjellë përmbysjen e dy vagonëve të parë të trenit të Renfe-s. Ai theksoi se fokusi kryesor i autoriteteve mbetet shpëtimi i jetëve dhe ndihma për të plagosurit. Ngjarja ka ndodhur pranë zonës Adamuz, në provincën e Kordobës.

Si pasojë e aksidentit, qarkullimi i trenave të shpejtësisë së lartë mes Andaluzisë jugore dhe kryeqytetit Madrid është pezulluar. Operatori i infrastrukturës hekurudhore, Adif, ka konfirmuar se linjat Madrid–Kordobë, Sevilje, Malaga dhe Huelva do të mbeten jashtë funksionit të paktën për ditën e hënë, ndërsa rikuperimi i plotë i rrjetit mund të zgjasë nga dy deri në tre ditë.

Nga ana e saj, kompania Iryo ka njoftuar se ka vënë menjëherë në zbatim protokollet e emergjencës dhe se pasagjerët e të dy trenave janë evakuuar. Ndërkohë, ekipet e shpëtimit vijojnë kërkimet intensive për persona të mbetur nën rrënoja dhe për çdo shenjë jete mes vagonëve të shkatërruar.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.