I dënuar me 19 vite burg, Pëllumb Lleshi drejt ekstradimit në Shqipëri
Pëllumb Lleshi, i dënuar në Shqipëri për vrasjen e emigrantit shqiptar Bilbil Hila në Greqi, ka humbur përpjekjen ligjore për të penguar ekstradimin e tij nga Britania e Madhe.
Lleshi u arrestua më 10 dhjetor 2024 në Angli, pas një urdhri ndërkombëtar arresti të lëshuar nga Interpol Tirana.
Çështja është shqyrtuar nga City of Westminster Magistrates’ Court, e cila ka pranuar kërkesën e autoriteteve shqiptare për ekstradimin e tij. Sipas vendimit gjyqësor, Lleshi duhet t’i dorëzohet drejtësisë shqiptare për të vuajtur dënimin prej 19 vitesh burg, të dhënë në mungesë.
Argumentet në favor të ekstradimit janë paraqitur nga Amanda Bostock, ndërsa pala mbrojtëse e Lleshit, e përfaqësuar nga Joel Smith KC dhe Louisa Collins, nuk ka arritur të bindë gjykatën për ndalimin e procedurës.
Pas vendimit të gjykatës, dosja i është përcjellë për shqyrtim dhe firmë sekretares së Shtetit për Çështjet e Brendshme, Shabana Mahmood.
Si nisi çështja penale ndaj Pëllumb Lleshit
Nga dokumentet e gjykatës britanike rezulton se Lleshi kishte qenë më herët në vëmendjen e drejtësisë shqiptare edhe për një tjetër çështje penale.
Në vitin 2014, ai ishte akuzuar për plagosje me dashje dhe përdorim të dokumenteve të falsifikuara. Për këtë procedim, ai kishte marrë një dënim me kusht, të cilin e kishte përfunduar.
Megjithatë, çështja që lidhet me ekstradimin aktual ka në qendër një dënim shumë më të rëndë, atë për vrasjen e Bilbil Hilës në Greqi në vitin 2003.
Vrasja e Bilbil Hilës në Greqi
Në mars të vitit 2011, Gjykata e Elbasanit shpalli fajtorë Pëllumb Lleshin dhe katër persona të tjerë për vrasjen e emigrantit shqiptar Bilbil Hila.
Ngjarja kishte ndodhur më 24 nëntor 2003, në zonën e Anavisos, në Greqi.
Procedimi penal në Shqipëri ishte nisur pas kallëzimit të Bajram Hilës, babait të viktimës, banues në Katund të Ri në Elbasan.
Në kuadër të hetimit, nën akuzë u morën Kasem Vrapi, Atmirant Dragoti, Ilia Pire, Eduart Pepa dhe Pëllumb Lleshi.
Sipas versionit të paraqitur nga prokuroria, pesë të pandehurit kishin vepruar në bashkëpunim dhe kishin sulmuar Bilbil Hilën me mjete të forta dhe të ftohta, përfshirë shufra druri, kaçavida dhe shufra hekuri. Si pasojë e plagëve të marra, viktima kishte humbur jetën.
Prokuroria e Elbasanit e kishte cilësuar ngjarjen si vrasje me paramendim të kryer në bashkëpunim.
Dënimet e dhëna nga Gjykata e Elbasanit
Në seancën e 2 marsit 2011, Gjykata e Elbasanit shpalli fajtorë të pandehurit dhe caktoi dënimet përkatëse.
Kasem Vrapi u dënua me 20 vite burg, ndërsa Pëllumb Lleshi me 19 vite burg.
Eduart Dragoti u dënua me 18 vite burg, Ilia Pire me 17 vite dhe Eduart Pepa me 16 vite burgim.
Të gjitha dënimet lidheshin me vrasjen e Bilbil Hilës, e cila sipas akuzës ishte kryer në bashkëpunim.
Për shkak të vendimit të dhënë në Shqipëri, Lleshi vijoi të ishte person në kërkim ndërkombëtar dhe më pas u lokalizua në Britaninë e Madhe.
Ekstradimi, një tjetër hap drejt vuajtjes së dënimit
Arrestimi i Lleshit në dhjetor 2024 aktivizoi procedurën gjyqësore në Britani, ku mbrojtja tentoi të kundërshtonte dorëzimin e tij te autoritetet shqiptare.
Megjithatë, City of Westminster Magistrates’ Court nuk i ka pranuar argumentet e mbrojtjes dhe ka vendosur në favor të kërkesës shqiptare për ekstradim.
Tashmë procedura ka kaluar në fazën e shqyrtimit nga autoritetet britanike kompetente, me vendimin e gjykatës që i është përcjellë sekretares së Shtetit për firmë.
Nëse procedura përfundon me ekstradimin, Pëllumb Lleshi do t’u dorëzohet autoriteteve shqiptare për të vuajtur dënimin prej 19 vitesh burgim të dhënë nga drejtësia shqiptare për vrasjen e Bilbil Hilës.
Sipas prokurorisë shqiptare, hetimi i kësaj çështjeje ishte shoqëruar me vështirësi në sigurimin e provave nga autoritetet greke, ndërsa numri i personave të përfshirë dhe natyra e rëndë e veprës penale e bënë procesin veçanërisht kompleks.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



