Biznesmeni Armand Lilo pronari i kullës “Eyes of Tirana” do të përballet me drejtësinë pas një incidenti të ndodhur në janar 2024, kur një skelë hekuri e pallatit në ndërtim të kompanisë së tij “Arlis Ndërtim” ra mbi trotuar, duke plagosur dy kalimtarë.
I plagosur rëndë mbeti një 70-vjeçar dhe Imelda Shkëmbi, bashkëshortja e trajnerit të Tiranës dhe ish-futbollistit Bledi Shkëmbi.
Kjo e fundit, e cila ka pësuar fraktura të rënda në fytyrë ka dorëzuar një kërkesë padi në Gjykatën e Tiranës, duke kërkuar që kompania “Arlis Ndërtim” të detyrohet të dëmshpërblejë financiarisht dëmet e shkaktuara në shëndetin e saj me 100 milionë lekë.
Gjykata e Tiranës ka caktuar gjyqtaren Ina Hoxhaj për shqyrtimin e kësaj padie, e cila pritet të hedhë dritë mbi përgjegjësinë ligjore të kompanisë ndërtuese për rrëzimin e skelës. Shkëmbi kërkon një shumë të konsiderueshme në lekë si kompensim për pasojat fizike dhe psikologjike që ka pësuar.
Për këtë ngjarje, në janar 2024, Policia e Tiranës vuri në pranga sa për show tre hallexhinj nën akuzën e “shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë”, përkatësisht punëtorin Elton Osmanllari, sipërmarrësin Erjon Kanto dhe inxhinierin Zef Kalaj të kompanisë “Arlis Ndërtim”, të cilët edhe këta më pas u lanë të lirë.