E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Igli Tafa i jep “pengut” Meçe tenderin e sistemit të dëmshpërblimeve
Lajme

Igli Tafa i jep “pengut” Meçe tenderin e sistemit të dëmshpërblimeve

Drejtori i ri i Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Igli Tafa, ka firmosur së fundmi një tjetër procedurë tenderuese që ka përfunduar në duart e një kompanie të njohur për kontratat e shumta me këtë institucion. Bëhet fjalë për kompaninë Advanced Business Solutions (ABS), e lidhur me biznesmenin Gerond Meçe, e cila prej vitesh rezulton ndër përfitueset kryesore të fondeve publike në sektorin e teknologjisë së informacionit.

Procedura e fundit ka të bëjë me përmirësimin e sistemit të pagesave për e-dëmshpërblimet. Sipas dokumenteve të publikuara nga AKSHI, kontrata parashikon një periudhë zbatimi prej 33 muajsh, ku 9 muaj janë të dedikuar për implementimin e sistemit dhe 24 muaj për mirëmbajtjen e tij. Fondi limit i vendosur për këtë tender ka qenë rreth 33 milionë lekë, ose afërsisht 340 mijë euro pa TVSH.

“Pengu” që po fiton miliona – Drejtori i ri i AKSHI-t,

“Pengu” që po fiton miliona – Drejtori i ri i AKSHI-t,

Faksimile: Njoftimi i AKSHI-t për fituesin e tenderit për sistemin e dëmshpërblimeve

Fitues i procedurës është shpallur bashkimi i operatorëve ekonomikë DATALOG dhe Advanced Business Solutions. Oferta e paraqitur nga ky bashkim kompanish ka qenë rreth 300 mijë euro. Vendimi për shpalljen e fituesit mban firmën e drejtorit të ri të AKSHI-t, Igli Tafa.

Advanced Business Solutions rezulton aktualisht në pronësi të Shegush Meçes, nënës së biznesmenit Gerond Meçe. Aksionet e kompanisë iu transferuan asaj në maj të vitit 2025 përmes një kontrate dhurimi. Megjithatë, sipas të dhënave të publikuara në dokumente financiare dhe hetimore, administrimi i kompanisë dhe aktivitetet e saj vijojnë të lidhen ngushtë me vetë Meçen.

“Pengu” që po fiton miliona – Drejtori i ri i AKSHI-t,

Faksimile: Kontrata e dhurimit të aksioneve nga Gerond Meçe te nëna e tij Shegush Meçe

Emri i Gerond Meçes është përmendur edhe në dosje hetimore të lidhura me tenderët e AKSHI-t, ku në disa raste ai është përshkruar si person i përfshirë në skema të dyshuara ndikimi mbi procedurat e prokurimit publik. Në një tjetër dosje hetimore, ai është përmendur edhe si viktimë në një çështje të lidhur me një grup personash që dyshohet se ushtronin presion për përfitime financiare nga bizneset që fitonin tenderë.

Hetimet e institucioneve të drejtësisë janë fokusuar edhe te lidhjet mes biznesmenit dhe ish-nëndrejtorit të AKSHI-t, Daniel Shima. Sipas dyshimeve të ngritura nga hetimet paraprake, dyshohet se përmes një rrjeti kompanish dhe aktivitetesh të lidhura mes tyre mund të jenë krijuar skema për qarkullimin e fondeve të përfituara nga kontratat publike.

Të dhënat zyrtare tregojnë se gjatë viteve të fundit kompania Advanced Business Solutions ka përfituar kontrata publike me vlerë të përgjithshme që arrin në rreth 40 milionë euro. Një pjesë e këtyre procedurave është zhvilluar pa konkurrencë të gjerë ose me skualifikimin e ofertave të tjera, çka ka tërhequr vëmendjen e organeve hetimore.

Në të njëjtën kohë, Byroja Kombëtare e Hetimit dhe Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar po verifikojnë një sërë procedurash tenderuese të zhvilluara nga AKSHI ndër vite. Fokus i këtyre verifikimeve janë mënyra e zhvillimit të garave, lidhjet mes kompanive pjesëmarrëse dhe rrjedha e fondeve të përfituara.

Paralelisht me aktivitetin e ABS, Gerond Meçe ka themeluar edhe një kompani tjetër në fushën e teknologjisë së informacionit, të quajtur Artificial Intelligence Business Solutions (AIBS). Sipas të dhënave financiare, kjo kompani ka raportuar qarkullim të konsiderueshëm dhe fitime të larta, pavarësisht se nuk rezulton të jetë përfituese e drejtpërdrejtë e shumë tenderëve publikë.

Dokumentet financiare tregojnë se vetëm gjatë pesë viteve të fundit, nga kompania ABS drejt AIBS janë transferuar shuma që arrijnë rreth 15 milionë euro. Këto lëvizje financiare janë duke u analizuar nga autoritetet për të verifikuar nëse ato lidhen me aktivitet të zakonshëm biznesi apo me skema të mundshme për qarkullimin dhe fshehjen e të ardhurave.

“Pengu” që po fiton miliona – Drejtori i ri i AKSHI-t,

Faksimile: Bilanci i kompanisë AIBS në pronësi të Gerond Meçes

Në një nga bilancet financiare të depozituara në vitin 2025, kompania AIBS ka raportuar një fitim prej rreth 630 mijë eurosh, ndërsa nga fitimet e akumuluara është shpërndarë dividend në vlerën e 1.7 milionë eurove. Sipas të dhënave të administratës tatimore, kjo kompani ka realizuar qarkullime të mëdha financiare, të justifikuara në dokumente si të ardhura nga shërbime në fushën e teknologjisë së informacionit.

Hetimet mbi tenderët e AKSHI-t dhe lidhjet mes kompanive të përfshira janë ende në zhvillim. Autoritetet po shqyrtojnë dokumentacionin financiar, kontratat dhe rrjedhën e pagesave për të përcaktuar nëse ka pasur shkelje të ligjit në proceset e prokurimit publik apo në menaxhimin e fondeve të përfituara nga këto kontrata.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.