IKMT nis shembjen e ‘mollës së sherrit’ që ‘shkriu’ policinë e Sarandës
Pas shpërbërjes së drejtuesve të Policisë në Sarandë nën dyshimet për korrupsion, autoritetet kanë ndërmarrë sot një tjetër hap konkret në terren: prishjen e një strukture beach bar-i të ndërtuar pa leje në vijën bregdetare.
Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) ka nisur aksionin për shembjen e kompleksit të njohur si “Copacabana”, duke rrethuar zonën dhe duke angazhuar fadromat për të çmontuar ndërtimet prej druri, si dhe hapësirat e dedikuara për shezlongë dhe çadra plazhi.
Sipas të dhënave, prona rezulton në emër të Arjola Dhrami Bajo që prej vitit 2022. Ajo është aktualisht në kërkim, pas konstatimit të ndërtimit pa leje më 14 maj, ngjarje që çoi në arrestimin e tetë punëtorëve në vendngjarje.
Megjithatë, pala mbrojtëse e kundërshton ndërhyrjen e IKMT-së. Avokati i pronares, Rigels Dervishi, pretendon se objekti ka qenë ekzistues dhe se funksiononte mbi bazën e dokumentacionit të rregullt, duke theksuar se stacioni i plazhit është pajisur me leje nga KKTU. Sipas tij, prishja është një veprim arbitrar që cenon një aktivitet të ligjshëm dhe paralajmëron ndjekje ligjore ndaj institucioneve.
Zbulimi i ndërtimit pa leje erdhi pas një denoncimi të mbërritur tek drejtuesi i Policisë së Shtetit për zonën, çka çoi në një valë arrestimesh brenda strukturave të policisë lokale. Mes të ndaluarve janë ish-shefi i komisariatit të Sarandës, Gëzim Bashllari, si dhe tre inspektorë të tjerë: Andi Duro, Ajdin Ismailaj dhe Robert Çullaj. Të gjithë janë pezulluar nga detyra, ndërsa ndaj tyre priten masa të mëtejshme disiplinore.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



