Inaugurohet godina e re në Berat, Hita: Siguria, prioritet kryesor
Berati vijon të mbetet një nga qarqet me nivelin më të ulët të kriminalitetit në vend, por autoritetet theksojnë se kjo nuk do të ndikojë në uljen e vigjilencës apo të kontrolleve policore.
Gjatë inaugurimit të godinës së re të Drejtorisë Vendore të Policisë në Berat, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, u shpreh se investimi i ri synon të përmirësojë ndjeshëm kushtet e punës për efektivët dhe njëkohësisht të rrisë cilësinë e shërbimit për qytetarët.
Sipas tij, ambientet moderne dhe standardet e reja të infrastrukturës, të kombinuara me profesionalizmin dhe etikën e punonjësve të Policisë, do të ndikojnë drejtpërdrejt në forcimin e sigurisë publike, si për banorët ashtu edhe për turistët që vizitojnë qytetin.
Hita theksoi se, edhe pse Berati renditet ndër zonat me më pak krime të rënda, strukturat policore do të vijojnë punën intensive për të parandaluar dhe goditur çdo formë të paligjshmërisë.
Në fokus të diskutimeve ishin edhe disa çështje që kërkojnë vëmendje të vazhdueshme, si shpërndarja e lëndëve narkotike pranë shkollave dhe kultivimi i bimëve narkotike. Autoritetet konfirmuan se këto fenomene do të mbeten prioritet në punën e Policisë së Shtetit, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë në çdo zonë të vendit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



