Çfarë po ndodh me call centerat në Tiranë?
Mashtrimi i organizuar që po pastron miliona euro nën hundën e policisë dhe shtetit
Si funksionon industria kriminale e call center-ave
Problematika e call center-ave në Tiranë nuk është më një fenomen periferik apo një “zonë gri” e ekonomisë. Sot, ajo përbën një industri të mirëfilltë mashtrimi, të strukturuar, të organizuar dhe të mbrojtur, që përdor Shqipërinë si bazë operacionale për të mashtruar qytetarë nga Kanadaja, Italia, Gjermania dhe vende të tjera të Europës.
Ky rrjet nuk funksionon në mënyrë spontane. Ai drejtohet nga disa individë të fuqishëm, të cilët ndërtojnë skema të sofistikuara dhe më pas përfshijnë në këtë lojë edhe të rinj “ambiciozë”, që futen si ortakë të vegjël, menaxherë apo drejtues linjash, duke u bërë gradualisht pjesë e mekanizmit kriminal.

Në Tiranë sot mund të numërohen rreth 150 zyra të përshtatura si call center, ku çdo ditë zhvillohet i njëjti aktivitet mashtrues.
Skema funksionon si kompani korporative:
-
Agjentët ndjekin skripte mashtruese
-
Team leader-ët ushtrojnë presion për targete
-
Retention-i është hallka më kriminale, ai që finalizon mashtrimin dhe bind viktimën të dërgojë paratë
Mbi ta qëndrojnë menaxherë dhe në krye një skemë dyshe:
-
pronari formal (emër në letra)
-
pronari real, që vepron në hije, shpesh i maskuar si ndërtues, investitor apo sipërmarrës i suksesshëm.
Ambientet merren me qira, regjistrohen si zyra marketingu dhe ndërrohen shpesh për të zhdukur gjurmët.
Por ajo që e bën këtë industri pothuajse të paprekshme është mbrojtja institucionale. Skema është e thjeshtë: zyrtarë të korruptuar të policisë së krimit ekonomik marrin pagesa mujore, “kafe” për çdo punonjës aktiv. Kontrollet paralajmërohen, kallëzimet zhduken dhe dosjet mbyllen pa zhurmë. Këta call center-a nuk mbijetojnë sepse janë të zgjuar, por sepse janë të mbrojtur.
Paratë e grabitura nga viktimat qarkullojnë përmes llogarive offshore, kriptomonedhave, kompanive guackë dhe më pas futen në ndërtim përmes kontratave fiktive, blerjes së apartamenteve me para cash dhe projekteve të zhvillimit urban në Tiranë. Kulla, pallate dhe resorte ngrihen si forma klasike pastrimi parash, duke i kthyer fitimet kriminale në pasuri të ligjshme në letër.
Fenomeni ka marrë përmasa alarmante edhe në aspektin social. Rreth 70% e të rinjve në Tiranë kanë punuar, punojnë ose synojnë të punojnë në call center.
Arsyeja është paga: një agjent i thjeshtë merr 600–1000 euro, plus 10–15% komision; një team leader 1000–1500 euro, plus 20% të fitimit; ndërsa retention-i arrin 1000–2000 euro, sërish me përqindje të larta bonusi. Pa diplomë, pa profesion – mjafton të dish një gjuhë të huaj.
Kjo ka krijuar një realitet të rrezikshëm: mashtrimi është normalizuar. Puna në call center nuk shihet më si devijim, por si mundësi. Nuk ka pothuajse asnjë i ri që të mos ketë qenë i përfshirë drejtpërdrejt ose indirekt në këtë industri.
Shqetësimi më i madh nuk është vetëm kriminal, por moral dhe shoqëror. Po rritet një brez që mësohet se paratë vijnë shpejt, pa arsim, pa etikë dhe pa pasoja. Një brez që humb besimin te shkolla, puna e ndershme dhe ligji.
Të gjithë e dinë: punonjësit, pronarët e godinave, policia, prokuroria, politika. Por askush nuk flet, sepse zinxhiri i përfitimit është i gjatë dhe i shtrirë.
Ky nuk është më thjesht problem rendi publik.
Është krim i organizuar ndërkombëtar, i mbështetur nga heshtja institucionale dhe i shndërruar në krizë morale, sociale dhe kombëtare./E.Noka
Vijon…
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco





