INTERVISTA e Richard Grenell dhe mesazhi për Ramën: Të mos vonojë procedurat e projektit për Sazanin

Grenell u kujdes të mos tregojë nëse ishte dhëndri i Trump që e piketoi Sazanin, apo ju ofrua në tavolinë nga Rama. Gjithashtu Grenell pati dhe një ultimatum për Ramën, duke kërkuar që të mbyllen procedurat sa më shpejt, pasi siç tha ai, ata janë të paduruar.

Një ndër arkitektët e ndryshimit të kufijve Kosovë-Serbi, ka marrë përsipër negociatat mes dhëndrit të Donald Trump dhe qeverisë shqiptare për betonizimin e ishullit të Sazanit. E kemi fjalën për Richard Grenell, të dërguarin e Trump në Ballkan kur ishte president. Emri i tij në fakt doli që në 15 mars, pasi ishte “New York Times” që shkruante se ka ndikuar ai te qeveria shqiptare, teksa pret të bëhet Sekretar Shteti nëse Trump vjen në pushtet.

Sot Grenell doli te një televizion fare afër Sali Berishës, “Syri TV”.

Opozita e ka “qepur gojën” për projektin e Sazanit, pasi shpresat e Berishës që të shpëtojë nga “non grata” dhe drejtësia janë te rikthimi i Trump. Por edhe Grenell e la në baltë, pasi ai e ngriti shumë lart projektin. Në fakt Grenell është ai që shfaqet në publik, pasi sinjalet janë se aty fshihet dora e Charles McGonigal dhe e rusëve. Grenell duket se është suvaja, pasi brenda ka shumë të tjerë.

Nga ana tjetër ai u kujdes të mos tregojë nëse ishte dhëndri i Trump që e piketoi Sazanin, apo ju ofrua në tavolinë nga Rama. Gjithashtu Grenell pati dhe një ultimatum për Ramën, duke kërkuar që të mbyllen procedurat sa më shpejt, pasi siç tha ai, ata janë të paduruar.

Intervista

-Të falënderoj shumë për këtë gatishmëri. E vetmja gjë që do të donim ishte që ky lajm për investim miliardësh, do të ishte mirë që ky lajm të merrej vesh nga mediat në Shqipëri dhe jo nga mediat e huaja. Pse zgjodhët Bloomberg për ta bërë publik dhe jo median shqiptare.

Richard Grenell: Kjo është një pyetje me vend. Ne jemi një kompani amerikane dhe përpiqemi të investojmë kudo në botë, aktualisht në Ballkan. Kemi një projekt në Shqipëri dhe një në Serbi, kushti i jemi drejtuar Bloomberg Neës, sepse ai vëzhgon transaksionet e bznesit, kupton tregun e pronave të paluajtshme. Ky është investim i sektorit privat, dhe nuk ka asgjë politike. Di që shumë media po përfshijnë elementin politik në raportimet e tyre. As Jared dhe unë nuk jemi pjesë e qeverisë dhe po punojmë me investime private. Sikurse e dini, unë kam pasur gjithnjë besim në rajonin e Ballkanit dhe nuk e kam kuptuar se përse investitorët e sektorit privat nuk po investojnë në mbarë rajonin e Ballkanit. Është një investim i mrekullueshëm, unë i dua njerëzit, ushqimin, kulturën. Megjithatë ekziston perceptimi i konflikteve që i zmbraps investitorët. Por sa më shumë që e njeh situatën, e kupton se është një investim shumë i mirë. Mendoj se investimi ynë do të nxitë më shumë njerëz drejt eksplorimit të Ballkanit. Projekti që po zhvillojmë është fenomenal. Sikurse e dini, unë kam kaluar shumë sezone verore në bregdetin shqiptar dhe më duket i mrekullueshëm, më mirë se Greqia dhe se çdo vend tjetër ku shkojnë amerikanët. Prandaj ne jemi shumë entuziastë të investojmë në një zonëtë një rajoni që e duam. Me thënë të drejtën, nuk e kuptoj se përse nuk po investohet në Ballkan. Mendoj që njerëzit kanë nguruar duke mos e konsideruar si një investim të mirë për shkak të konfliktit të perceptuar, por, ngaqë unë e njoh shumë mirë rajonin, dua të them se nuk kam parë kurrë probleme, po vetëm mundësi. Pas artikullit të Bloomberg dhe Nju Jork Times nuk po na pushon telefoni. Janë shumë investitorë që duan të përfshihen, që duan të dinë më shumë. Mendoj se për Shqipëri do të vijë një valë investimesh prej sektorit privat. Jam më se i kënaqur me këtë investim.

Ambasador fillimisht do të ju pyes, Richard Grenell si biznesmen dhe në fund disa pyetje politike. Ju thatë pak më parë, kompania jonë. Unë dhe Jared nuk kemi funksione politike, jemi në biznes privat. Çfarë është kompania juaj.

Richard Grenell: Po i referohem sektorit privat. Isha shumë entuziast të bindja Jared-in dhe Affinity-in të konsideronte projektin dhe të investonte në të. Si pjesë e punës sime në sektorin privat është afrimi i investitorëve dhe mbi të gjitha kam për zemër rajonin e Ballkanit.

– Vjet jemi takuar në brigjet e Shqipërisë dhe më keni thënë se, jeni i mrekulluar nga kjo bukuri dhe këtu duhet të investohet. Për të qenë korrekt edhe para vitit 2009 ka qenë një negociatë e kryeministrit konservator Sali Berisha me Silvio Berluskonin, por italianët u tërhoqën nga kriza financiare e vitit 2008 dhe u tërhoqën. 1 miliard dollarë për tu investuar në Sazan janë shumë, unë nuk di një kompani të huaj e cila ka marrë përsipër të investojë 1 miliardë dollarë dhe nuk është tërhequr rrugës. Pyetja që çdo shqiptar do të bënte në mosbesim, duke pasur eksperiencën paraardhëse, i ka kompania juaj 1 miliard dollarë për t’i investuar në Sazan?

Richard Grenell: Faleminderit për pyetjet. Ne po përpiqemi të krijojmë një ekip dhe nuk i druhemi kohës. Kur bëhet fjalë për investime dhe mundësi, investitorët duhet të marrin në konsideratë kohën dhe shumë faktorë të tjerë, si ekonomia, që është një prej faktorëve që kemi vërejtur në të kaluarën. Nga ana tjetër, mendoj se vetëm dëshira e investitorëve për të hyrë në një rajon është një prej problemeve të cilat përballemi. Në dekadën e fundit, në Ballkan, ekziston perceptimi i konfliktit, prania e trupave të NATO-s në Kosovë. Kjo nuk i ndihmon investitorët që besojnë se mund të investojnë në Ballkan, sepse askush nuk do të investojë në një rajon pa siguri. Kur dëgjon ‘trupa të NATO-s’ dhe ‘konflikt’, sepse këto dëgjojmë nga media politike, idetë pështjellohen. Si një person që e njeh rajonin shumë mirë, unë nuk e kam këtë mendim. E di që ka konflikte, po gjithashtu e di se bregdeti shqiptar është i mrekullueshëm, njerëzit janë entuziastë me turistët dhe udhëtarët e huaj, ushqimi është i pabesueshëm.

Unë kam vërë re dëshirën e popullit shqiptar që të zhvillojë ekonominë në mënyrë që të përfitojë. Zhvillimi i turizmit në bregdetin shqiptar gjatë verës është duke shpërthyer këto vitet e fundit. Ndërkohë që po përgatitnim këtë projekt, instagrami i Dua Lipës, apo i të tjerëve që vizitonin Shqipërinë, më bënte të mendoja se kush do të investojë, kush do të bëjë një investim madhor së shpejti. Kur shikon fotografitë e bëra gjatë verës në Shqipëri gjatë viteve të fundit, arrin në përfundimin se ky është vendi i duhur për investime, po që ende nuk ka investime. I kthehem idesë së konfliktit të perceptuar që i zmbraps njerëzit që nuk e njohin Shqipërinë dhe nuk e kuptojnë Ballkanin. U desh kohë që të informonim njerëzit për këtë rajon dhe për investimin, na u desh disa vite dhe jam entuziast që Jaret dhe Affinity kishin besim se ky do të ishte një projekt i mirë. Ne kaluam kohë me kërkime, bisedime me partnerët, dhe brenda disa muajsh do të merrni lajme të gëzueshme nga partnerë të tjerë që do të bëhen pjesë e këtij investimi.

-U janë dashur vite për ti bindur partnerët tuaj. Në fakt Greqia që është ngjitur nesh ka mjaft ishuj pafund bosh. Pse ju tërhoqi Sazani dhe jo ishujt grek bosh, ku siguria dhe  lehtësia për të bindur partnerë për të investuar mund të ishte më e lehtë.

Richard Grenell: Është e vërtetë. Shumë amerikanë shkojnë në Greqi, e njohin Greqinë, edhe unë shkoj rregullisht në Greqi. Por kur shkon në Shqipëri është një përvojë tjetër. Është një vend i virgjër, i bukur, natyral dhe kjo të jep një tjetër ndjesi. Shqipëri është shumë ndryshe nga Greqia. Nuk janë vende që mund t’i krahasosh. Më pëlqen fakti se sa i ri, i paprekur dhe natyror është bregdeti shqiptar. Ne duam të tregohemi të kujdesshëm me këtë në projektin tonë.

– A keni ju një ide, një plan biznesi sa mund të jetë numri i shqiptarëve që mund të punësohen në këtë projekt 1 miliardësh, siç thoni ju.

Richard Grenell: Patjetër që do të ketë me mijëra kur të përfundojë projekti. Ne do të ndjekim planin tonë, do të përpiqemi të marrim miratimin përfundimtar të cilin ende nuk e kemi. Duam t’u përgjigjemi të gjitha pyetjeve që projekti ynë dhe planet të jenë në përputhje me kërkesat e qeverisë shqiptare. Pas miratimit, do të ndajmë detajet, por nuk jemi ende në atë fazë.

– A keni një afat se kur mund të merrni këtë miratim dhe mund ta filloni punë?

Richard Grenell: Jo. Megjithatë, amerikanët janë të paduruar, dhe unë jam edhe më i paduruar dhe jam gati të nis dhe t’u përgjigjem të gjitha kërkesave dhe pyetjeve. Sa më shpejt të jetë e mundur, është përgjigjja më e mirë.

-Ju u shprehët se na joshi shumë ideja e brigjeve të virgjëra shqiptare, Sazani është ishull ka brigje të virgjëra, por çdo ishull ka brigje të tilla. Edhe Greqia ka ishuj pa fund. Pyetja ime është, ju joshi ju Sazani apo ju joshi kryeministri Rama për të investuar në Sazan.

Richard Grenell: Amerikanët kanë investuar prej kohësh në Greqi. Janë të shumë amerikanët që kanë investuar aty. Por ka ardhur kohë të gjejmë zona të reja. Njerëzit gjithnjë duan të dinë se çfarë të rejash ka, çfarë ka më mirë. Ne eksploruam të gjithë rajonin dhe investimin e njoftuam edhe në Serbi. Do të zhvillojmë plot projekte të reja, ky është vetëm fillimi. Ku duhet investuar në Shqipëri? Morëm kohë, bëmë kërkim, folëm me shumë persona dhe vendosëm për zonën më të mirë. Ne duam të ndërtojmë diçka moderne, për të cilën shqiptarët të ndihen krenarë. Mendojmë se do të jetë një xhevahir për të gjithë botë, jo vetëm për rajonin. Përgjigjja është se kemi folur me shumë njerëz, me shumë ekspertë, disa i sollëm në vend përpara se të vendosnim ç’të bënim. Sollëm ekspertë amerikanë dhe perëndimorë për të parë zonën, terrene të ndryshme dhe për të përgatitur planin e veprimit.

Publikuar nga Publik Media