Kryeministri Rama duket se nuk po lë gur pa lëvizur për të blinduar mbijetesën e tij politike në prag të zgjedhjeve. Përveç bonusit për pensionistët dhe faljes së gjobave, një tjetër manovër që synon blerjen e votave ka dalë në skenë: zgjatja e afateve të ligjit për investimet strategjike deri në fund të vitit 2026. Një ligj që prej fillimit ka qenë më shumë mjet për të shpërblyer klientelën dhe për të grabitur pronat publike, sesa një instrument për zhvillimin ekonomik të vendit.
Kjo nismë, e paraqitur nga deputetja socialiste Pranvera Resulaj, vjen në një kohë kur duhej të mbyllte efektet në fund të këtij dhjetori. Argumentet e sjella për justifikimin e zgjatjes janë të stërholluara, por zbulojnë qartë qëllimin e vetëm: shpalljen e të tjerë “miqve të qeverisë” si investitorë strategjikë dhe shpërndarjen e mëtejshme të bregdetit dhe pasurive të tjera publike.
Në relacionin e zonjës Resulaj përmenden ndryshime të rëndësishme, si:
•Vendime të reja nga Komiteti i Investimeve Strategjike (KIS),
•Kalimi i të ardhurave nga aplikimet në favor të buxhetit të agjencisë,
•Rregullime për dhënien e bregdetit me vendim të KIS, vetëm pasi strukturat turistike të jenë vënë në funksion.
Por përtej këtyre fjalëve teknike, pyetja themelore mbetet: Kush përfiton?
Kur strategjia është klientelizmi
Në vitet e fundit, ky ligj është shndërruar në një mekanizëm shpërndarjeje të pronave publike dhe bregdetit për oligarkët dhe të afërmit e pushtetit. Pëllumb Gjoka, tashmë në burg, është një shembull i gjallë i një “investitori strategjik” të shpallur nga Rama. Gaz Paja dhe Turjan Hyska, figura komike të medias dhe artit, gjithashtu përfituan këtë status. Po të njëjtën rrugë ndoqi edhe bashkëshorti i Olta Xhaçkës, që përfitoi prona në bregdet në emër të “interesit publik”.
Kjo praktikë është një sinjal i qartë se ky ligj nuk ka shërbyer për të thithur investime të vërteta, por për të krijuar një klub të privilegjuarish, një oligarki të re të varur nga Rama dhe Partia Socialiste. Ndërkohë, qytetarët e zakonshëm shohin pasuritë publike të zhduken dhe bregdetin të mbushet me beton.
Pse tani?
Me zgjedhjet që afrohen, çdo mjet është i vlefshëm për të ruajtur pushtetin. Zgjatja e këtij ligji me dy vite shtesë krijon mundësinë për të shpërblyer të tjerë mbështetës të qeverisë, qofshin ata biznesmenë, figura publike, apo edhe personazhe me histori të dyshimta kriminale. Llumi i politikës, mediave dhe artit duket se është rreshtuar në radhë për t’u shpallur “investitorë strategjikë”.
Dëmi i pakthyeshëm
Në vend që të jetë një ligj për zhvillimin ekonomik të vendit, kjo nismë ka shkaktuar grabite sistematike të pasurive publike, ka mbyllur mundësinë për investitorë të vërtetë dhe ka krijuar monopole të kontrolluara nga një grusht njerëzish. Shqipëria po shndërrohet në një model të përmbysur, ku pushteti shpërndan prona dhe pasuri publike për të ruajtur votat dhe mbështetjen politike.
Kjo zgjatje është një tjetër gur varri për shtetin ligjor dhe ekonominë e drejtë. Kush do të jetë investitori i ardhshëm strategjik? Ndoshta një trafikant tjetër si Lul Morina, ose ndonjë aktor apo gazetar i radhës që di të bëjë fresk qeverisë. Sepse ky ligj, në thelb, nuk është për zhvillimin e vendit, por për zhvillimin e klientelës.