Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, ka njoftuar se Ngushtica e Hormuzit është rikthyer plotësisht në funksion për të gjitha anijet tregtare, për pjesën e mbetur të periudhës së armëpushimit. Sipas tij, ky vendim lidhet drejtpërdrejt me marrëveshjen e armëpushimit të arritur së fundmi mes Izraelit dhe Libanit.
Në një reagim publik, Araghchi theksoi se lëvizja e lirë në këtë korridor strategjik detar do të vijojë sipas një rruge të koordinuar, e cila është bërë më herët publike nga autoritetet detare iraniane. Ai nënvizoi se hapja e ngushticës është në përputhje të plotë me kushtet e armëpushimit dhe synon të garantojë stabilitet në qarkullimin tregtar.
“Në përputhje me armëpushimin në Liban, kalimi për të gjitha anijet tregtare përmes Ngushticës së Hormuzit shpallet plotësisht i hapur për periudhën e mbetur të armëpushimit, në rrugën e koordinuar siç është njoftuar tashmë nga Portet dhe Organizata Detare e Republikës Islamike të Iranit”, shkruan Aragchi në X.
Ky zhvillim vjen pas disa ditësh ndërprerjeje të lëvizjes detare në zonë, si pasojë e tensioneve të shtuara në rajon. Mbyllja e përkohshme e Ngushticës së Hormuzit kishte ngritur shqetësime të forta në tregjet ndërkombëtare, duke qenë se ajo përbën një nga rrugët më të rëndësishme për transportin global të energjisë dhe mallrave.
Armëpushimi 10-ditor mes Izraelit dhe Libanit, i konfirmuar së fundmi, duket se ka ndikuar drejtpërdrejt në këtë vendim, duke sjellë një lehtësim të menjëhershëm në qarkullimin detar dhe në tensionet rajonale.







