Ish-deputetja sulmon Bardhin: E ke hak Zegjinenë, preve në besë miqtë e ike
Shkrimtarja dhe ish-deputetja Flutura Açka ka reaguar ashpër ndaj ish-kolegut të saj Gazment Bardhi, pas debatit të tensionuar që ky i fundit pati në Kuvend me deputeten socialiste Zegjine Caushi.
Në një reagim publik, Açka kujton përplasjet e saj të mëhershme me Bardhin, duke e akuzuar për sjellje përjashtuese dhe për bashkëpunim me mazhorancën në vendime të rëndësishme parlamentare. Ajo shprehet se niveli i debatit aktual është, sipas saj, pasojë e zgjedhjeve politike që ai ka bërë ndër vite.
“Zegjinenë e ke hak, miku im,” shkruan Açka, duke renditur një sërë çështjesh për të cilat akuzon Bardhin se ka toleruar apo mbështetur mazhorancën, mes tyre Amnistinë Penale, Kodin Zgjedhor të 27 korrikut 2024, Avokatin e Popullit, çështjen e Butrintit dhe Paketën e Maleve.
Ish-deputetja thekson se, nëse sipas saj Bardhi nuk do të ishte “epur”, sot – siç shprehet ajo – Shqipëria do të kishte një Parlament me standarde më të larta debati. Ajo përdor tone ironike dhe krahasime të forta për të përshkruar situatën aktuale politike, duke shtuar se degradimi i diskursit publik është pasojë e kompromisave të gabuara.
Në fund të reagimit, Açka e cilëson gjendjen e politikës shqiptare si të rrënuar, duke përdorur një gjuhë të drejtpërdrejtë dhe sarkastike për të përmbyllur qëndrimin e saj.
“Kujtoj egërsinë ndaj meje dhe sjelljen tipike fashiste, deri në përjashtimin pa një njoftim a një SMS nga drejtimi i KPEMIP-ë, në formēn më brutale të mundshme é në bashkëpunim të plotë me Lindita Nikollën e PS-së.
Bretk në mes të bretkosave tani! Zegjinenë e ke hak, miku im, se u epe, u dhe, iu dorëzove bretkosave dhe zhabëve: Amnistia Penale, Kodi Zghedhor 27 korrik 2024, Avokati i Popullit, Butrinti, Paketa e Maleve. Ka shumë! Pa le, marshimi triumfator – pasi i preve në besë miqtë e skalionit reformator të PD-së, drejt Rithemelimit.
Tani as Zegjineja nuk indinjon denjon të kursehet pak me të latyrisë me padijen e saj. Kujtoj kujdesin reciprok në fjalë që kishim më 2021, dhe kam keqardhje pêr katandisjen e Grupit Parlamentar!
Nuk thotë kot populli: Më mirë rrihu me një të mençur, vëlla, se të puthesh me një budalla!
Këto që po i shkruaj, i kam me humor, se nuk ma ndien fare për Parlamentin, dhe jam e bindur se në nivelin që e keni katandisur ju politikën shqiptare, nuk është më asgjë më tepër, se një kartabythje e shoqërisë shqiptare”, shkruan Flutura Açka.
Deklarata e saj ka nxitur reagime të shumta në rrjetet sociale, ndërsa mbetet për t’u parë nëse do të ketë një kundërpërgjigje nga Bardhi apo nga përfaqësues të tjerë politikë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



