Ish-drejtoresha “qejflie e kazinosë” mund të arratiset, shmagu TIMS
Prokuroria zbardh skemën e zhdukjes së milionave në Postën e Durrësit
Paralajmëron rrezik arratisjeje për ish-drejtoreshën
Skandali i zhdukjes së rreth 69 milionë lekëve në filialin e Postës Shqiptare në Durrës ka marrë një tjetër dimension, ndërsa hetimet kanë zbardhur një mekanizëm të detajuar të lëvizjes së parave jashtë çdo procedure zyrtare. Çështja doli fillimisht në dritë pas një kontrolli të brendshëm, i cili evidentoi mospërputhje serioze mes dokumentacionit financiar dhe gjendjes reale të arkës.
Menjëherë pas konstatimeve, rasti iu referua organit të akuzës dhe nisi një hetim i thelluar, i mbështetur në prova të shumta: auditin e brendshëm, pamjet filmike të sigurisë, dokumentet financiare të sekuestruara dhe dëshmitë e personelit.
Si funksiononte skema e dyshuar?
Sipas Prokurorisë, një skemë e përsëritur veprimi del qartë nga analizimi i pamjeve të kamerave. Në disa data të ndryshme të muajit prill 2026, vlerat monetare që hynin në filial ose nxirreshin nga arka përfundonin në zyrat e brendshme, duke shmangur procedurat standarde të administrimit dhe transportit të tyre.
Në çdo episod të dokumentuar, paratë merreshin nga shefja e financës dhe transportoheshin drejt zyrës së saj ose asaj të drejtoreshës, ndërkohë që në dokumentacion regjistroheshin mandate pagesash për transfertat drejt degëve të Shijakut dhe Krujës. Për disa prej këtyre mandateve, hetuesit kanë ngritur dyshime konkrete për falsifikim firmash.

Dosja dhe mungesa e Regjistrimit në TIMS
Çfarë tregojnë pamjet filmike?
Pamjet e administruara nga hetuesit përfshijnë gjashtë ditë të ndryshme dhe tregojnë një model të njëjtë veprimi:
- 2 prill 2026: Një thes me para futet në ambientet e filialit dhe brenda pak minutash kalon nga arka në zyrën e financës dhe më pas në zyrën e drejtoreshës. Në fund, drejtoresha largohet me një qese transparente, përmbajtja e së cilës nuk identifikohet. Për këtë datë rezulton një mandat 5 milionë lekë për degën Shijak, me dyshime për firmë të falsifikuar.
- 14 prill 2026: Regjistrohet hyrja e një thesari monetar në zyrën e financës. Po atë ditë figuron mandat 10 milionë lekë për Krujën, sërish me dyshime për falsifikim firme.
- 15 prill 2026: Një tjetër transfertë e ngjashme dokumentohet me video, ndërsa në sistem rezulton mandat 10 milionë lekë për Krujën.
- 20 prill 2026: Dorëzohet një qese me kartëmonedha të mëdha, që transportohet menjëherë në zyrën e financës. Në dokumente figuron mandat 5 milionë lekë për Shijakun.
- 24 prill 2026: Dy thasë me para mbërrijnë në filial dhe njëri prej tyre përfundon në zyrën e financës. Për këtë datë rezulton mandat 5 milionë lekë, i korrigjuar manualisht.
- 30 prill 2026: Një thes tjetër përgatitet dhe dorëzohet në mënyrë të njëjtë, duke ndjekur të njëjtën skemë.
Sipas Prokurorisë, ky model i përsëritur tregon një mekanizëm të organizuar, ku lëvizjet fizike të parave nuk përputhen me regjistrimet zyrtare.
Dyshimet për falsifikim dhe dokumente fiktive
Për çdo episod të konstatuar në kamera, ekziston një mandat pagesë që justifikon në letër transferimin e fondeve drejt degëve të tjera. Megjithatë, disa prej firmave të arkëtarëve rezultojnë të dyshimta, çka ka ngritur dyshime për falsifikim dokumentesh dhe mbulim të lëvizjeve reale të parave.
Arrestime dhe dyshime për arratisje
Hetimet çuan në arrestimin e ish-drejtoreshës së filialit, Elisabeta Mataj, ndërsa për punonjëse të tjera u vendosën masa të ndryshme sigurie. Sipas Prokurorisë, gjatë kohës që procedimi penal ishte në zhvillim, Mataj ka dalë jashtë vendit drejt Greqisë dhe është rikthyer pa u regjistruar në sistemin TIMS, një element që forcon dyshimet për shmangie të kontrollit kufitar dhe rrezik arratisjeje.
Përplasja e dëshmive
Në deklarimet e saj, ish-drejtoresha Mataj pretendon se kishte konstatuar problematika në sektorin financiar dhe kishte ndërmarrë masa për forcimin e kontrollit. Ajo thekson se kishte kërkuar audit dhe kishte sinjalizuar mënyrën e transportit të parave pa masa sigurie, duke ia atribuar përgjegjësinë sektorit të financës.
Nga ana tjetër, shefja e financës Valbona Duni deklaron se çdo veprim është kryer me dijeninë dhe urdhrat e drejtoreshës. Ajo pretendon se transfertat ishin praktikë e zakonshme dhe se paratë merreshin nga drejtoresha për t’u dërguar në degët përkatëse. Duni shton gjithashtu se ka konstatuar mandate të regjistruara pa dijeninë e saj dhe ngre dyshime për falsifikim të firmave.
Çfarë konkludon hetimi?
Sipas organit të akuzës, të gjitha provat e mbledhura – pamjet filmike, dokumentacioni financiar dhe dëshmitë – tregojnë për një skemë të mirëorganizuar të zhvendosjes së fondeve, në kundërshtim me rregullat, duke përdorur dokumente që dyshohet se janë manipuluar për të fshehur mungesën e parave.
Hetimet vijojnë për të përcaktuar përgjegjësit konkrete dhe për të zbardhur plotësisht rrjedhën e fondeve të zhdukura./weblajm
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



