E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Ish-kryebashkiaku i Kavajës Elvis Roshi paraqitet në SPAK
Lajme

Ish-kryebashkiaku i Kavajës Elvis Roshi paraqitet në SPAK

Ish-kryebashkiaku i Kavajës, Elvis Roshi, është paraqitur sot në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), ku u shfaq i shoqëruar nga avokati i tij. Roshi, i cili tashmë ka statusin e të pandehurit, u thirr për t’u njohur zyrtarisht me akuzën që rëndon ndaj tij.

Mësohet se ish-kryebashkiakut i është komunikuar akuza për “shpërdorim detyre”, pas një kallëzimi të depozituar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Sipas këtij kallëzimi, dyshimet lidhen me parregullsi të konstatuara në procedurat e tenderimit gjatë kohës kur Roshi drejtonte Bashkinë e Kavajës.

Çështja daton që në shtator të vitit 2015, kur Elvis Roshi u kallëzua në Prokurorinë e Kavajës së bashku me dhjetë zyrtarë të tjerë vendorë. Hetimet e asaj kohe ngritën dyshime për shkaktim të një dëmi ekonomik prej rreth 33 milionë lekësh, të lidhur me tenderat për rikonstruksionin e qendrës së qytetit dhe ndërtimin e disa rrugëve.

Parregullsitë u evidentuan gjatë një auditimi të kryer nga KLSH për periudhën janar 2013 – dhjetor 2014, ku u konstatuan shkelje në 12 procedura tenderimi, kryesisht për rikonstruksione, rrugë lidhëse dhe mbjellje pemësh dekorative. Në disa raste, sipas auditimit, janë ndjekur praktika të padrejta në vlerësimin e ofertave, duke përjashtuar operatorë ekonomikë që kishin paraqitur oferta më të ulëta, pa arsye të ligjshme.

Ndërkohë, më 17 maj të këtij viti, SPAK i sekuestroi telefonin celular Elvis Roshit dhe ushtroi kontroll personal ndaj tij, në kuadër të një hetimi tjetër që lidhet me dyshime për korrupsion zgjedhor. Ky hetim ka të bëjë me zgjedhjet e 11 majit, ku Roshi dyshohet se ishte i përfshirë në fushatë në mbështetje të kushëririt të tij, Elton Roshi, kandidat i PD-ADSHM në Kavajë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.