ISHP i vendos shiritin e bllokimit kompanisë “AlbChrome”

Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore ka vendosur sot shiritin e pezullimit të punës në repartin e copëtimit të ferrokromit në kompaninë “Albchrome”, që ndodhet në zonën industriale të Paprrit në Elbasan.

Vendimi vjen pas një incidenti të ndodhur këtë të mërkurë, ku një punonjës, mekaniku Rubin Meçja, mbeti i plagosur teksa punonte pasi një pllakë qindra kg i ra mbi trup.

Aksidenti  raportohet se ka ndodhur rreth orës 12:15 në repartin e copëtimit të ferrokromit.

Mekaniku mësohet se po punonte së bashku me një grup kolegësh për ndërrimin e pllakave të copëtimit të ferrokromit, një proces që kryhej kohë pas kohe në uzinën e AlbChrome.

Raportohet se Rudin Meçja ka qenë poshtë pllakës së copëtuesit dhe është goditur fuqishëm në shpatull dhe shtyllën kurrizore nga agregati i saj.

Menjëherë është transportuar fillimisht në Spitalin Rajonal Elbasan dhe më pas u dërgua tek Trauma në Tiranë.

Publikuar nga Publik Media