“Ishte shtrirë në tokë, i rridhte gjaku nga koka”
Dëshmia tronditëse e fqinjës pas vrasjes së 20-vjeçarit në Korçë
Kozeta Shakla rrëfen mes lotësh momentet e para pas krimit:Gruaja thërriste të lajmëronim Policinë dhe ambulancën. Pashë djalin aty, dy metra, të shtrirë dhe të gjakosur
Dëshmitarja Kozeta Shakla ka rrëfyer mes lotësh momentet e para pas vrasjes së 20-vjeçarit Joan Zuko në Korçë, i cili u qëllua me armë zjarri brenda një pallati në lagjen nr. 14.
Autor i dyshuar i krimit është miku i tij, Kristjan Sterjo, i cili vijon të jetë në kërkim nga Policia.
Shakla tregon se në momentin e ngjarjes ndodhej në banesë së bashku me nënën e saj, kur papritur dëgjoi një zhurmë të fortë. Në fillim mendoi se dikush mund të kishte rënë nga shkallët, ndaj doli nga apartamenti për të parë se çfarë kishte ndodhur.
Sapo doli nga banesa, ajo pa një grua në katin e tretë të pallatit, e cila kërkonte ndihmë dhe u bënte thirrje banorëve që të njoftonin Policinë dhe ambulancën.
“Ajo gruaja e katit të tretë, se te dera e saj ishte bërë, thërriste me të madhe: ‘Aman, të lutem lajmëroni policinë, ambulancën’. Ngjitem unë me vrap të shikoj një njeri të shtrirë poshtë në tokë, barkas. Dhe unë thashë mos ishte fëmija i saj”, tregon Shakla.
“Pashë djalin aty, të shtrirë dhe të gjakosur”
Dëshmitarja thotë se telefonoi menjëherë ambulancën, ndërsa më pas u përball me pamjen e 20-vjeçarit të shtrirë dhe të gjakosur në shkallët e pallatit.
“Pastaj mora ambulancën. Nuk e mblidhnim dot veten fare. Zbrita me vrap se më thonin këta të ambulancës: ‘Ku e keni vendin, ku e keni vendin?’ Pashë djalin aty, njeri dy metra djalë të shtrirë poshtë, të gjakosur. Po i rridhte pastaj gjaku nga koka”, rrëfen ajo.
Shakla tregon se nuk e njihte Joan Zukon dhe se 20-vjeçari nuk ishte banor i pallatit ku ndodhi vrasja.
Sipas saj, ngjarja ka shkaktuar tronditje të madhe në zonë, veçanërisht për faktin se bëhet fjalë për një lagje ku qëndrojnë dhe luajnë edhe fëmijë.
Dëshmitarja tregon se Policia ka mbërritur shumë shpejt në vendngjarje, ndërsa më pas në zonë kanë shkuar edhe efektivë të tjerë dhe ambulanca.
“Nuk e harroj dot”
Pamja e 20-vjeçarit të shtrirë dhe të gjakosur në shkallët e pallatit, sipas Shaklës, është një moment që ajo nuk mund ta harrojë.
“Në momentin që vajta unë, po i rridhte gjaku nga koka dhe nuk e harroj dot. Nuk e di, nuk e preka me dorë. Nuk e preka me dorë”, përfundon ajo.
Vrasja e 20-vjeçarit Johan Zuko ndodhi pas një konflikti të mbartur me autorin e dyshuar, Kristjan Sterjo. Sipas Policisë, Zuko u qëllua me kallashnikov, ndërsa në dorën e viktimës u gjet një thikë.
Sterjo vijon të jetë në kërkim, ndërsa Policia dhe RENEA kanë intensifikuar kontrollet për lokalizimin dhe kapjen e tij. Në kuadër të hetimeve janë shoqëruar gjithashtu tre persona, ndërsa grupi hetimor po analizon edhe pamjet e kamerave të sigurisë për të rindërtuar dinamikën e plotë të ngjarjes.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



