Italiani u fsheh 40 minuta pas makinës, e kapi plumbi rikoshet
Zbulohen motivet pas vrasjes së biznesmenit italian në Tepelenë: Një konflikt banal me drita makine
Detaje të reja kanë dalë nga ngjarja tronditëse e tre ditëve më parë në Tepelenë, ku mbeti i vrarë biznesmeni italian Edoardo Sarchi
. Hetimet zbulojnë se pas kësaj tragjedie fshihet një motiv krejtësisht banal, i nisur nga një debat për dritat e gjata të makinës.
Sipas burimeve hetimore, 48-vjeçari Kamber Sulçaj nga Mesapiku i Vlorës,
teksa lëvizte me automjetin e tij, është bezdisur nga dritat e gjata të Land Rover-it ku udhëtonte Sarchi, i cili po kthehej nga një shëtitje për gjah. Ky episod i vogël shkaktoi fillimisht një debat verbal dhe ofendime mes palëve.
Pas përplasjes së parë, Sulçaj ka gjurmuar automjetin e biznesmenit dhe i ka zënë pritë në zonën e njohur si Qafa e Dilanit. Ai ka hapur zjarr ndaj makinës ku ndodhej Sarchi dhe miqtë e tij. Pasagjerët arritën të braktisin automjetin dhe të fshihen në një kanal për t’i shpëtuar plumbave, ndërsa biznesmeni mbeti për rreth 40 minuta i bllokuar mes breshërisë. Një plumb rikoshet i mori jetën.
Autori, ende në arrati, rezulton aksioner me 25% në një gurore në Brataj të Selenicës, Vlorë, të quajtur “Stone Quramenga”. Në këtë biznes ai është bashkëpronar me babain Delo Sulçaj (20%), vëllain Akil alias Ermal Sulçaj (15%) dhe dy persona të tjerë. Përveç kësaj, Kamber Sulçaj zotëron edhe një stan me bagëti.
Familja e tij nuk është e panjohur për organet e rendit. Në maj 2021, në Vlorë u arrestua vëllai tjetër, Gazmend Sulçaj, së bashku me kushëririn Roel Sulçaj, pasi u kapën me 2632 fara kanabisi të destinuara për kultivim.
Policia vijon kërkimet për kapjen e Kamber Sulçajt, ndërsa ngjarja ka tronditur opinionin publik për shkak të motivit absurd që çoi në humbjen e jetës së biznesmenit italian.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



