“Jam nipi Arben Ndokës,” sherr mes disa personave në Lezhë
I përfshirë edhe vëllai i ish-deputetit
Një konflikt i dhunshëm është regjistruar në një lokal në qytetin e Lezhës, ku si pasojë dy persona kanë mbetur të plagosur.
Sipas informacioneve, një nga personat e përfshirë në ngjarje është Gëzim Ndoka, vëllai i ish-deputetit të Partisë Socialiste, Arben Ndoka. Njëri nga të lënduarit është identifikuar si Nikolin Marku, i cili pretendon se është dhunuar me urdhër të Gëzim Ndokës.
Ngjarja dyshohet se ka ndodhur pasi në ambientet e lokalit kanë hyrë pesë persona të maskuar. Sipas deklarimeve të Markut, një prej tyre është prezantuar si nipi i ish-deputetit, djali i Gëzim Ndokës, ndërsa më pas ka nisur sulmi fizik ndaj tij. Gjatë konfliktit është dhunuar edhe kushëriri i Markut.
Marku ka deklaruar gjithashtu se, teksa ishte paraqitur në spital për të marrë ndihmë mjekësore, aty ka shkuar edhe Gëzim Ndoka, i cili sipas tij e ka kërcënuar.
Nga të dhënat paraprake, mësohet se autorët kanë përdorur edhe qytat e pistoletës gjatë dhunimit të dy personave. Rrethanat e plota të konfliktit mbeten ende të paqarta, ndërsa po hetohet edhe pista e një konflikti të mëparshëm familjar, që lidhet me një divorc të ndodhur kohë më parë.
Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, identifikimin e autorëve dhe sqarimin e motiveve që çuan në këtë konflikt të dhunshëm.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



