Jep dorëheqjen kreu i IKMT në Vlorë
Pas sinjaleve të forta të dhëna nga Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, gjatë një takimi në Sarandë mbi situatën problematike të ndërtimeve pa leje dhe zaptimit të hapësirave publike, kanë nisur lëvizje konkrete në disa nivele të administratës.
Zhvillimet më të fundit përfshijnë largimin nga detyra të drejtorit të Drejtorisë Rajonale të IKMT-së në Vlorë, Elton Caslli. Burime bëjnë me dije se ai ka dhënë dorëheqjen në një moment kur ndaj tij kishin nisur procedura administrative nga struktura qendrore e IKMT-së, për shkak të mosveprimit dhe problematikave të evidentuara në terren.
Në të njëjtën linjë përgjegjësie, është hapur procedurë disiplinore edhe për Përgjegjësin e Sektorit të Inspektimit të Territorit në këtë drejtori, Xhovalin Hoxhaj, në kuadër të verifikimeve për menaxhimin e situatës në zonë.
Këto masa vijnë menjëherë pas arrestimit të shefit të komisariatit të Sarandës, duke sinjalizuar një qasje më të ashpër institucionale ndaj shkeljeve që lidhen me territorin dhe zhvillimin urban.
Gjatë takimit, ministri Lamallari kërkoi reagim të menjëhershëm dhe llogaridhënie nga të gjitha strukturat përgjegjëse, përfshirë Policinë e Shtetit, IKMT dhe IMT, duke theksuar se toleranca ndaj paligjshmërisë do të jetë zero.
Ai u shpreh se çdo neglizhencë apo mosveprim institucional përballë ndërtimeve pa leje dhe zaptimit të hapësirave publike përbën një shkelje të rëndë të interesit publik dhe dëmton drejtpërdrejt zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit në vend.
Sipas tij, respektimi i ligjit dhe mbrojtja e hapësirave publike janë prioritete të panegociueshme, ndërsa paralajmëroi masa të mëtejshme për çdo rast abuzimi.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



