Elona CASLLI
Në fëmijërinë time e kam dëgjuar shpesh këtë shprehje: ” Jeta si të të marrë“. Ishte shprehja përmbyllëse pasi rrëfehej një histori e trishtë mbi jetën e një individi. Teksa e dëgjoja këtë shprehje imagjinata ima prej fëmije Jetën e përfytyronte si një grua që merrte për dore njeriun dhe e çonte diku. Imagjinoja Jetën që vinte më merrte nga kopshti dhe mē çonte në një vend ku nuk doja të shkoja dhe atëherë pyesja gjyshin tim: Ku të çon jeta kur të merr, gjysh?! Ai përkëdhelte kokën time e mandej përgjigjej: Ty do të të çojë gjithmonë te lodrat.
” Jeta si të të marrë” në këndvështrimin tim është një shprehje plot kuptim. Të gjithë e kapim për dore jetën dhe ka raste që ajo na shpie drejt njerëzve, situatave, apo përvojave që nuk i kishim menduar kurrë se do t’i përjetonim. Ky është misteri i jetës e ky mister shpeshherë të sfidon, të gjunjëzon, të përlot, të dhemb e madje ka raste që edhe të tjetërson e kur ndodh tjetërsimi do tê thotê se ke humbur thelbin tênd. Ai ka rënë diku, në një stol parku në një ditë vjeshte, teksa një i moshuar ushqente pëllumbat me bukën e ngrohtë.
Të flasësh për jetën e një individi qoftë ky një yll i muzikës apo një nënpunës i thjeshtë banke teksa e sheh të gjunjëzuar prej jetës është fort e lehtë. Të kuptosh historinë e gjunjëzimit të tij është fort e vështirë sepse ajo histori nuk rrëfehet kund, nuk shkruhet kund. Është e kyçur në shpirtin e njeriut dhe nuk ka çelës që mund ta hapë.
Nuk ndihmohet një njeri i gjunjëzuar prej jetës me videoklipe. Videoklipi e fyen dhe e nëpërkëmb dhimbjen e njeriut të gjunjëzuar.
Blendi Fevziu kishte të gjitha mundësite të mos ta shfaqte atë video dhe të ruante dinjitetin e këngëtares shqiptare Parashqevi Simaku, sikundër kishte të gjitha kontaktet për t’i siguruar asaj ndihmën e duhur dhe mbi të gjitha në mënyrën e duhur, por Fevziu vendosi ta vendoste në tezgën e panairit virtual videon në mënyrë që çdo shikues të mund të hidhte një grimcë mëshire dhe gjykimi mbi të.
Post Scriptum- Nëse bën kurban dinjitetin e një njeriu, nuk e ke ndihmuar këtë njeri. Thjesht ke nënvizuar faktin se dhimbja e tjetrit është fort e lakmueshme si produkt për t’u gjykuar, mbllaçitur dhe gëlltitur nga publiku i gjerë.