“Jo” shkrirjes me Beratin, Dimali rebelohet ndaj reformës territoriale
Këshilli Bashkiak i Dimalit ka dalë hapur kundër propozimit për shkrirjen e bashkisë dhe bashkimin e saj me Beratin, një nismë që vjen në kuadër të hartës së re territoriale të propozuar nga mazhoranca. Vendimi është marrë në një mbledhje emergjente, ku shumica dërrmuese e këshilltarëve kanë refuzuar këtë skenar.
Nga 21 anëtarë të pranishëm, plot 18 votuan për shpalljen e pavlefshme të relacionit që parashikon bashkimin e Dimalit me Beratin, duke kërkuar që kjo bashki të vijojë funksionimin si njësi vendore më vete.
Në nisje të mbledhjes u paraqit relacioni që mbështeste idenë e bashkimit, ku ndër arsyet kryesore përmendeshin lidhjet historike mes zonave, pozicioni gjeografik përgjatë lumit Osum dhe prania e Spitalit Rajonal në Berat. Megjithatë, këto argumente nuk bindën shumicën e këshilltarëve.
Sipas tyre, relacioni nuk mbështetet në analiza të thelluara dhe mungojnë studimet e fizibilitetit që do të provonin përfitimet konkrete nga një bashkim i tillë administrativ. Këshilltarët theksuan se argumentet e paraqitura bien ndesh me vlerësimet e ekspertëve dhe nuk ofrojnë garanci për zhvillim më të mirë.
Një tjetër pikë kyçe e debatit ishte performanca financiare e Bashkisë Dimal. Sipas të dhënave të paraqitura, gjatë dekadës së fundit kjo bashki ka realizuar mesatarisht rreth 38 për qind të investimeve përmes buxhetit të saj aktiv, duke u renditur ndër më të mirat në nivel kombëtar. Në të kundërt, Bashkia Berat ka shënuar një mesatare prej rreth 7 për qind në të njëjtin tregues.
Në këtë kontekst, këshilltarët argumentuan se një bashkim i mundshëm nuk do të rriste kapacitetet investuese të Dimalit, përkundrazi mund të dëmtonte ekonominë lokale. Shqetësime u ngritën veçanërisht për sektorin bujqësor, ku fermerët e zonës prej vitesh eksportojnë prodhimet e tyre në tregjet ndërkombëtare.
Debati preku edhe aspektin ligjor. Duke iu referuar nenit 89, këshilltarët theksuan se në mungesë të argumenteve të bazuara në fakte dhe studime konkrete, propozimi për shkrirje duhet të konsiderohet i pavlefshëm.
Në përfundim, me një votë të qartë kundër, Këshilli Bashkiak i Dimalit ka vendosur të refuzojë bashkimin me Beratin, duke mbrojtur vijimin e funksionimit si njësi vendore e pavarur.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



