E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Jo vetëm Bashkitë, ndryshon formula edhe për Këshillat Bashkiakë
Lajme

Jo vetëm Bashkitë, ndryshon formula edhe për Këshillat Bashkiakë

Reforma e re territoriale që mazhoranca synon të zbatojë në zgjedhjet lokale të pranverës 2027 nuk prek vetëm numrin e bashkive. Ndryshimi pritet të shoqërohet edhe me një model të ri përfaqësimi në këshillat bashkiakë, për të garantuar që territoret që nuk do të kenë më bashki të veçanta të mos mbeten pa përfaqësim.

Sipas propozimit të paraqitur në kuadër të reformës, 46 bashki do të shkojnë në zgjedhje për kryetar, ndërsa 77 qytete apo territore që aktualisht funksionojnë si njësi më vete do të përfshihen në bashki më të mëdha dhe do të përfaqësohen përmes këshillave të këtyre bashkive.

Për këto ndryshime nevojiten ndërhyrje në legjislacion dhe në Kodin Zgjedhor.

Mazniku propozon proporcionalitet të dyfishtë

Dokumenti i paraqitur nga Arbjan Mazniku në Komisionin e Reformës Zgjedhore përcakton një mënyrë të re për shpërndarjen e mandateve në këshillat bashkiakë.

Modeli bazohet në atë që cilësohet “proporcionalitet i dyfishtë”: një komponent politik, i lidhur me votat që marrin subjektet zgjedhore, dhe një komponent territorial, që merr parasysh peshën e popullsisë së secilit territor përbërës të bashkisë.

Qëllimi është që shpërndarja e vendeve në këshill të mos përcaktohet vetëm nga rezultati i përgjithshëm politik, por të garantohet edhe prania e territoreve të ndryshme brenda bashkisë së re.

Si funksionon modeli me 51 mandate?

Mazniku e ilustron propozimin me një bashki hipotetike që ka 51 mandate këshilltarësh dhe përbëhet nga tre territore.

Fillimisht mandatet ndahen ndërmjet territoreve në varësi të peshës së tyre demografike. Më pas bëhet shpërndarja politike, sipas rezultatit të subjekteve zgjedhore.

Për shembull, nëse një parti fiton 28 nga 51 mandatet e këshillit, këto mandate do të shpërndahen edhe brenda territoreve. Në shembullin e dokumentit, partisë A do t’i takonin 20 mandate në territorin më të madh, 5 në të dytin dhe 3 në territorin më të vogël.

Pra, sistemi synon të ruajë njëkohësisht dy raporte: peshën që ka secili subjekt në këshill dhe numrin e mandateve që i takojnë çdo territori.

Këshilltarët, me lista të hapura

Një tjetër ndryshim i propozuar lidhet me mënyrën se si qytetarët do të zgjedhin këshilltarët.

Mazniku propozon që votimi të bëhet përmes votës preferenciale, pra me lista të hapura.

Në këtë skemë, votuesi nuk do të mjaftohet vetëm me zgjedhjen e subjektit politik, por do të mund të votojë kandidatin e preferuar brenda listës së atij subjekti dhe territorit përkatës.

Votat preferenciale do të përcaktonin më pas se cilët kandidatë marrin mandatet që i janë caktuar subjektit politik në atë territor.

Ende pa përcaktim se çfarë do të quhet “territor”

Një nga çështjet që mbetet për t’u përcaktuar nga Komisioni i Reformës Zgjedhore është vetë njësia territoriale që do të përdoret në këtë sistem.

Dokumenti propozon që të përcaktohet nëse “territor” do të konsiderohet qyteti, ish-bashkia, njësia administrative apo një kategori tjetër e përcaktuar me ligj.

Kjo çështje pritet të jetë pjesë e ndryshimeve që do të bëhen në kuadrin ligjor dhe në Kodin Zgjedhor përpara zbatimit të modelit të ri.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.