E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Jo vetëm në Tiranë, protesta e studentëve përhapet edhe në qytete të tjera
Lajme

Jo vetëm në Tiranë, protesta e studentëve përhapet edhe në qytete të tjera

Protesta e nisur në Tiranë kundër qeverisë së Edi Ramës po shtrihet edhe në qytete të tjera të Shqipërisë, ku të rinjtë po braktisin mësimin për t’iu bashkuar tubimeve. Në ditën e katërt të protestave, gjimnazistë dhe studentë kanë dalë në rrugë për të shprehur pakënaqësinë ndaj klasës politike dhe për të kërkuar ndryshime.

“Rama, jep dorëheqjen!”, “Rama në burg, Berisha në burg” dhe “Ju erdhi fundi” janë disa prej thirrjeve të dëgjuara gjatë protestave. Krahas tubimeve, ditët e fundit janë shënuar edhe akte dhune, dëmtime të infrastrukturës, djegie institucionesh dhe dëmtime të bizneseve. Po ashtu, dhjetëra protestues janë shoqëruar nga policia.

Në Lezhë, dhjetëra gjimnazistë kanë bojkotuar mësimin dhe janë mbledhur në qendër të qytetit për të protestuar. Mes tyre ka edhe nxënës të shkollës “Hydajet Lezha”, të cilët i janë bashkuar thirrjeve për dorëheqjen e kryeministrit.

Zjarre dhe kapsolla në tubim

Gjatë tubimit janë ndezur zjarre dhe janë hedhur kapsolla. Ndërsa forcat e policisë janë angazhuar në terren për të monitoruar situatën dhe për të parandaluar përshkallëzimin e tensioneve.

Prania e shtuar e efektivëve është vënë re edhe pranë institucioneve kryesore të qytetit, në kuadër të masave për ruajtjen e rendit dhe sigurisë.

Lëvizjes së të rinjve i janë bashkuar edhe një grup gjimnazistësh në Kamëz. Një grup nxënësish është mbledhur këtë të premte për të shprehur pakënaqësitë e tyre. Ndërsa një pjesë e nxënësve kanë bojkotuar mësimin dhe pritet t’i drejtohen Tiranës për t’iu bashkuar protestës në kryeqytet.

Protesta është shtrirë edhe në Divjakë, ku gjimnazistët kanë lënë klasat dhe kanë dalë në rrugë me kërkesën për dorëheqjen e Edi Ramës.

Edhe në Fier priten zhvillime të tjera gjatë ditës. Forcat e policisë janë pozicionuar në sheshin qendror të qytetit, në pritje të grumbullimeve të mundshme.

Sipas informacioneve paraprake, disa gjimnazistë janë paraqitur në shkolla pa çanta, në një veprim që lidhet me protestën e paralajmëruar dhe mundësinë e bojkotimit të mësimit.

Mobilizimi i të rinjve vazhdon

Përhapja e protestave në disa qytete tregon se mobilizimi i të rinjve nuk është kufizuar vetëm në kryeqytet. Ndërsa kërkesat për ndryshim dhe dorëheqjen e kryeministrit vijojnë të artikulohen në rrugë, mbetet për t’u parë se si do të zhvillohet situata gjatë orëve në vijim.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.