“Ju dua shumë”/ Nuk u kthye nga leja, shpallet në kërkim Petrit Ndoci
Petrit Ndoci, i dënuar për vjedhje me dhunë dhe armëmbajtje pa leje, është shpallur në kërkim pasi nuk është kthyer në burgun e Reçit pas përfundimit të lejes së dhënë nga autoritetet.
Ndoci duhej të paraqitej në institucionin e vuajtjes së dënimit sot në orën 12:30, por nuk është kthyer në burg brenda afatit të përcaktuar.
Sipas informacioneve paraprake, familjarët kanë njoftuar autoritetet për mungesën e tij. Vëllai i të dënuarit ka deklaruar se Petrit Ndoci kishte lënë një letër për familjen përpara se të largohej.
Në letër, sipas dëshmisë së familjarit, shkruhej: “Po largohem, ju dua shumë.”
Ndoci ishte duke vuajtur një dënim për veprat penale “vjedhje me dhunë” dhe “armëmbajtje pa leje”. Mësohet se atij i kishin mbetur rreth dy vite burgim deri në përfundimin e dënimit.
Pas moskthimit në kohën e përcaktuar, autoritetet kanë nisur kërkimet për gjetjen e tij, ndërsa rrethanat e largimit dhe destinacioni i tij mbeten ende për t’u sqaruar.
Policia vijon kërkimet për lokalizimin e Petrit Ndocit, ndërsa pritet që të zbardhen rrethanat e plota të moskthimit të tij në burg pas përfundimit të lejes.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



