Ka një kufi edhe poshtërsia politike
Arben Llangozi
Ka një kufi edhe propaganda. Por kjo qeveri dhe Edi Rama duket se nuk njohin më asnjë kufi kur përballë kanë një nënë të varfër, të pambrojtur dhe të rrënuar nga hallet.
Ajo nënë doli paqësisht, pranë djalit të saj me probleme, me dhimbjen e një prindi që kërkon vetëm pak dinjitet, pak ndihmë dhe pak drejtësi. Në vend që shteti ta dëgjonte, ajo u përball me forcën e policisë dhe më pas me baltën e propagandës politike.
Sa i pashpirt duhet të jetë një pushtet që, në vend të shtrijë dorën për ta ngritur një nënë nga mjerimi, përpiqet ta përgojojë? Sa i ulët duhet të jetë një politikan që përdor mikrofonin, ekranet dhe pushtetin për të sulmuar një grua që mezi përballon jetën?
Edi Rama, a e pe se ku jetonte ajo nënë në një gërrmadhë pa çati? A e pe varfërinë, dhimbjen dhe kushtet e saj të jetesës? A e pyete ndonjëherë se si e ushqente djalin, si e përballonte sëmundjen, si i kalonte netët pa ndihmë dhe pa shpresë? A e ndihmove qoftë edhe një herë, përpara se njerëzit e tu ta përdornin si objekt propagande?
Ti ke një administratë të tërë, polici, ekrane, pushtet dhe miliona euro propagandë. Ajo kishte vetëm dhimbjen e saj dhe dorën e djalit. E megjithatë, pushteti u tremb prej saj.
Kjo është fytyra e vërtetë e kësaj qeverie, arrogante me të dobëtit, e pamëshirshme me të varfrit dhe e heshtur përballë atyre që kanë pushtet e para. Një shtet që nuk mbron nënat në nevojë, por i poshtëron publikisht, nuk është shtet social.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



