“Ka rënë shteti”, plas sherri te Komisioni i Ligjeve për arrestimin e Vlora Hysenit
Debati për reformën territoriale është ndërprerë nga një përplasje politike në Komisionin e Ligjeve, pasi deputetët e opozitës kërkuan që vëmendja e Kuvendit të përqendrohet te zhvillimet e fundit rreth drejtueses së Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni.
Gjykata e Posaçme, pas kërkesës së SPAK, ka caktuar ndaj Hysenit masën e sigurisë “arrest në shtëpi” dhe pezullimin nga ushtrimi i detyrës. Çështja është pjesë e një procedimi penal që lidhet me hetimet e SPAK dhe ndaj saj janë ngritur dyshime për veprat penale të parashikuara nga neni 320/2 dhe 295/a/1 i Kodit Penal.
Në mbledhjen e Komisionit, deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, kërkoi që Kuvendi të mblidhet për të diskutuar situatën e krijuar pas masës së sigurisë ndaj drejtueses së SHISH.
“Parlamenti duhet të mblidhet pas arrestimit të kreut të SHISH”, deklaroi Bylykbashi.
Deputeti i opozitës e cilësoi zhvillimin si një çështje që prek sigurinë kombëtare dhe kërkoi një reagim institucional nga Parlamenti. Gjatë diskutimit, ai kritikoi gjendjen e institucioneve shtetërore, duke deklaruar se “janë infektuar të gjitha qelizat e shtetit” dhe se “shteti është i krimbur”.
Nga ana tjetër, kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, kërkoi që mbledhja të vijonte sipas rendit të ditës dhe që deputetët të kalonin te shqyrtimi i projektligjit për reformën territoriale.
“Duhet të ecim me rendin e ditës. Projektligji është i rëndësishëm”, u shpreh Manja.
Kreu i komisionit argumentoi gjithashtu se veprimet e SPAK janë pjesë e funksionimit të institucioneve në një shtet demokratik, duke mos pranuar që zhvillimi i fundit të ndryshonte axhendën e mbledhjes.
Por qëndrimi i mazhorancës u kundërshtua nga deputeti demokrat Saimir Korreshi. Ai ngriti pikëpyetje mbi prioritetet institucionale në një situatë që e lidhi drejtpërdrejt me sigurinë kombëtare.
“A ka prioritete ky shtet kur bie siguria kombëtare?”, pyeti Korreshi.
Në vijim, deputeti iu drejtua përfaqësuesve të mazhorancës edhe për Presidentin Bajram Begaj, duke pyetur nëse kishin dijeni për vendndodhjen e tij.
“Bajram Begaj, dini gjë ku është?”, tha Korreshi.
Përplasja nuk u kufizua vetëm te çështja e SHISH. Korreshi kundërshtoi edhe mënyrën e trajtimit të reformës territoriale, duke pretenduar se vendimmarrja për këtë çështje ishte përcaktuar paraprakisht dhe se shqyrtimi në Komision ishte thjesht formal.
“Ju keni vendosur për territorialen, na e sillni këtu kot”, deklaroi ai.
Në një tjetër moment të debatit, Korreshi iu rikthye masës së sigurisë ndaj drejtueses së SHISH dhe e cilësoi situatën si një zhvillim tepër të rëndë për vendin.
“Arresti për kreun e SHISH, ka rënë shteti sot, o bosa, e dini apo jo?”, u shpreh deputeti demokrat.
Pavarësisht tensioneve dhe kërkesave të opozitës për të diskutuar situatën e krijuar pas masës ndaj Vlora Hysenit, mbledhja e Komisionit të Ligjeve vijoi me rendin e ditës, ku në fokus ishte prezantimi dhe shqyrtimi i projektligjit për reformën territoriale.
Zhvillimi vjen një ditë pas masës së sigurisë ndaj Hysenit, e cila është pezulluar nga detyra dhe ndodhet nën masën “arrest në shtëpi”, ndërsa hetimi i SPAK vijon.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



