Kaloi nga PD në PS, Manjola Nikollo zbulon prapaskenat e vendimit
Manjola Nikollo, ish-kryetare e Partisë Demokratike në Sarandë, u emërua nënkryetare e Bashkisë së këtij qyteti.
Në një reagim për mediat, Nikollo ka shprehur zhgënjimin e saj ndaj mënyrës se si funksionon aktualisht PD, duke theksuar se ndjen detyrimin moral t’u drejtohet demokratëve që e kanë mbështetur ndër vite.
“Jam e trishtuar nga mënyra se si funksionon sot partia. Megjithatë, gjithçka që jam dhe çdo arritje që kam pasur, ia dedikoj mbështetjes së demokratëve të Sarandës,” deklaroi ajo.
Sipas Nikollos, përplasjet me strukturat e PD-së nisën gjatë procesit të primareve në qarkun e Vlorës. Pas dorëheqjes nga posti i kryetares, ajo thotë se rezultati i garës u ndikua nga faktorë të jashtëm dhe se më pas u përjashtua nga komunikimet e brendshme të degës.
“Nuk u ftova më në mbledhje apo aktivitete të degës. Kjo më bëri të ndihem e lënë jashtë dhe e fyer moralisht,” u shpreh Nikollo.
Ajo shton se angazhimi i saj në administratën vendore nuk ka motive politike, por është një vendim i bazuar në dëshirën për të kontribuar në interesin publik.
“Tashmë jam pjesë e Bashkisë Sarandë për arsye njerëzore, jo politike. Dua të ndihmoj në punët konkrete që prekin qytetarët,” – theksoi Nikollo.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



