Komisioni i Pavarur i Kualifikimit zhvilloi dje seancën dëgjimore me prokuroren Doloreza Musabelliu, hetimi për të cilën ishte kryer në të tria kriteret e rivlerësimit.
Kandidatja për Strukturën e Posaçme Antikorrupsion u përballë me dyshime për pasurinë e bashkëjetuesit dhe një raport negativ të Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK). Duke iu referuar raportit të Komisionit për Musabelliun ka pasur edhe 6 denoncime nga publiku, 2 prej të cilëve ishin hetuar më thellë.
Pas këtij viti, ai ka deklaruar çdo vit. Më tej, relatorja e çështjes tha se komisioni ka kryer hetim lidhur me dy pasuritë e bashkëjetuesit të prokurores, një apartament në Tiranë me sipërfaqe 124 metra katrorë të blerë në vitin 2006, në vlerën 73 400 euro, dhe një autoveturë të blerë në vitin 2009, në shumën 10 mijë euro. Për këto pasuri, KPK-ja ngriti pretendimin se bashkëjetuesi nuk ka pasur të ardhura të mjaftueshme për të përballuar shpenzimet. Dyshime u ngritën edhe për blerjen e një apartamenti në Vlorë, që sipas prokurores nuk ka të bëjë me të dhe bashkëjetuesin, pasi është blerë për motrën e tij, që jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Raporti i DSIK u diskutua gjatë në seancën dëgjimore, ku prokurorja kundërshtoi, disi e revoltuar, përfundimet e këtij institucioni. DSIK, në raportin e parë për të, kishte konstatuar përshtatshmërinë në detyrë, ndërsa në një raport të dytë të dorëzuar para KPK-së, ngrinte dyshime për përfshirje të Musabelliut në korrupsion dhe nxjerrje të sekretit hetimor për një çështje, për të cilën është shpallur moskompetenca. Komisioni ka verifikuar informacionet e reja të përcjella nga DSIK, nga ku ka konstatuar se vendimi i moskopetencës është kryer nga një tjetër prokuror dhe jo nga Musabelliu.
Sipas KPK-së, duke qenë se shtetasi M.M. për të cilën bëhet fjalë në dosje, është ende nën hetim dhe nuk mund të vlerësohet nëse ka pasur ose jo dekonspirim. Nga ana tjetër, Doloreza Musabelliu e konsideroi raporti si abuziv, duke shtuar se DSIK nuk ka bërë verifikim të fakteve.
“Raporti është i paplotë dhe abuziv, pasi janë futur të dhëna që nuk kanë të bëjnë me mua, por me një prokuror tjetër. Raporti i DSIK-ut është i pabazuar, pasi nuk kam disponuar asnjë informacion të klasifikuar sekret shtetëror. Sipas DSIK-ut, paskam dekonspiruar kur kam kryer shpalljen e moskompetencës për çështjen në fjalë, por këtë e ka kryer një prokuror tjetër”, tha ajo.