Kandidati u PSD, fitoi tenderin e Spaçit, i proceduar penalisht

Një nga burgjet dhe kampet më famëkeqe të diktarurës, Spaçi, është rikthyer në vëmendje gjatë ditëve të fundit.

Fotot dhe videot e publikuara tregonin se godinat ku kanë vuajtur mijëra të burgosur për qëllime politike, ku janë torturuar dhe punuar në minierat vdekjeprurëse në zonë, po lyheshin dhe suvatoheshin.

Projektet dështake të institucioneve shtetërore po tentonin që të mbulonin një nga plagët më të rënda të shoqërisë sonë.

Me të drejtë, pati reagime të forta, ku aktorët më kryesorë janë padyshim ata që kanë vuajtur në atë kamp dhe burg.

Ata dëshmuan se, lyerja dhe “makijazhi” nuk i fsheh dot torturat që kanë ndodhur brenda atyre mureve.

Zymtësia e godinave sjell fare mirë atë që kanë vuajtur të dënuarit dhe të internuarit.

Por kush e bëri restaurimin?! Cili institucion apo firmë urdhëroi dhe kreu punime të kota në ato godina?!

Në muajin prill 2024, Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore finalizoi tenderin për Burgun e Spaçit.

Sipas dokumenteve  firma fituese që ka bërë ato punime quhet “MARTINI KONSTRUKSION & REAL ESTATE” sh.p.k, me pronar Benard Martini, i cili ka qenë kandidat për deputet i Partisë Social Demokrate në vitin 2021.

Në dokumente shkruhet se bëhet fjalë për tenderin me objekt “ndërhyrje konservuese-restauruese në Burgun e Spaçit”.

Fondi i akorduar ka qenë 12.792.136 lekë, ose rreth 130 mijë euro. Fituesi është shpallur në fillim të muajin prill 2024.

Lidhja e kontratës u bë në mes të muajit prill, ndërsa firma kishte disa javë kohë që të kryente punimet.

Ndërhyrja në një objekt të rëndësishëm, që tregon kohën që ka kaluar Shqipëria, duhet të ishte bërë nga një firmë e licensuar për ndërhyrje në të tilla vepra.

Madje, duheshin bërë projekte dhe analiza të mirëfillta, me qëllim që objektit mos t’i humbte identiteti.

Por, faktet tregojnë se firma që ka bërë ato punime ka qenë e lidhur me pushtetin, me parti politike dhe pa përvojë.

Pronari i kompanisë “MARTINI KONSTRUKSION & REAL ESTATE”, quhet Benard Martini, i cili ka pasur një firmë për skela. Ai ka kandiduar për PSD-në në vitin 2021, ndërkohë që ka deklaruar se ka qenë i proceduar disa herë për vepra të ndryshme penale.

Normalisht kompania ka fituar tenderin dhe ka vijuar punimet për të zbatuar edhe afatet. Por, shumë e dyshimtë mbetet vendimmarrja e këtij Instituti, i cili i beson një godinë të tillë historike një firme të panjohur, pa të kaluar në restaurim dhe për më tepër, pronari ka qenë i proceduar.

Vetë Martini ka deklaruar para KQZ-së se ka pasur dosje në Prokurorinë e Tiranës në vitin 2016. Dosja e parë ka qenë për shkatërrim prone”.

Dosja e dytë, në vitin 2015 po në Prokurorinë e Tiranës për “ndërtim të paligjshëm”.

Dhe dosja e tretë, në vitin 2009, për “vjedhje”.

Nuk e dimë nëse dënimet e mëparshme të Martini kanë qenë kriter për fitimin e tenderit, aq më tepër në një ish-burg.

Por, ajo që është shumë e dyshimtë mbetet cilësia e punimeve dhe kryerja e tyre për të “fshirë” një pjesë të historisë së mijëra shqiptarëve që kanë humbur jetën dhe janë torturuar në Spaç.

Publikuar nga Publik Media