Kandidimi për Bashkinë e Tiranës, ish-deputeti ‘zbyth’ Manastirliun për Braçen
“Është më i mirë se Ogerta”
Një ditë pasi konfirmoi se do të shpallë kandidaturën për Bashkinë e Tiranës, deputeti socialist Erion Braçe duket se po fiton mbështetje edhe brenda PS.
Ish-deputeti socialist Petro Koçi ka dalë publikisht në mbështetje të kësaj lëvizjeje, duke e cilësuar kandidimin e Braçes si një zhvillim pozitiv për partinë dhe garën për kryeqytetin.
Në një intervistë, Koçi u shpreh:
“Lëvizjen e Braçes e shoh si një risi pozitive, për shpalljen e kandidaturës dhe garës për Bashkinë e Tiranës. Nuk shoh ambient armiqësor ndaj Braçes.
Ai ka qenë gjithmonë aktiv për çështjet urbane dhe çështje të caktuara. Nuk e dimë a do përzgjidhet a jo. Ndonjëherë lidhet edhe me ambiciet e çështjes. Ndonjëherë mund të jetë i përshtatshëm për kryebashkiak por s’i shkon mendja apo nuk është propozuar”.
I pyetur për një zgjedhje të mundshme mes Braçes dhe Ogerta Manastirliu, Koçi shmangu një përgjigje të drejtpërdrejtë, por vlerësoi profilin e deputetit socialist:
“Braçe apo Manastirliu? Unë nuk mund të përgjigjem se do ishte provokuese. Por Braçe do ishte një kandidaturë e përshtatshme. Natyrë me përvojë shtetërore, skrupuloz, gazetar, me moral politik dhe shpresoj që t’ia dalë në fund, e shoh të përshtatshme si kandidaturë dhe uroj t’ia dalë.
Por kjo nuk ia ul dinjitetin kandidatëve të tjerë. Megjithatë kandidatët zgjidhen nga strukturat e partisë. Kjo do ishte një kandidaturë optimale dhe për Partinë Socialiste”.
Deklaratat e Koçit vijnë në një moment kur diskutimet për kandidaturat për Bashkinë e Tiranës po intensifikohen, ndërsa pritet që strukturat e PS-së të marrin vendimin përfundimtar.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



