Kaos në aksin Milot–Lezhë, trafiku i makinave arrin në 20 km
Një trafik i rënduar deri në paralizim ka përfshirë aksin Milot–Lezhë, ku qindra automjete janë bllokuar në një kolonë që, sipas drejtuesve të mjeteve, shtrihet për rreth 20 kilometra.
Situata është krijuar edhe pse nuk bëhet fjalë për fundjavë apo për një prej orareve tipike të pikut. Qarkullimi në këtë segment zhvillohet me ritme jashtëzakonisht të ngadalta, ndërsa automjetet avancojnë vetëm disa metra në pritje.
Për të përshkuar distancën prej rreth 16 kilometrash nga Fushë-Miloti deri në Lezhë, drejtuesve të mjeteve u duhet më shumë se një orë.
Kaosi në qarkullim është shtuar edhe nga shpërndarja e automjeteve në tre korsi, duke krijuar një situatë të çrregullt dhe duke penguar lëvizjen normale në të dyja drejtimet.
Sipas një denoncimi të mbërritur në redaksinë tonë, në momentin kur është krijuar kjo situatë nuk është konstatuar prani e Policisë Rrugore në terren për të orientuar automjetet apo për të lehtësuar qarkullimin.
Vargu i gjatë i makinave të bllokuara po detyron drejtuesit të presin për periudha të gjata për të përshkuar një distancë relativisht të shkurtër.
Problematika e trafikut në Milot–Lezhë nuk është e re. Ky segment përballet shpesh me fluks të lartë automjetesh gjatë sezonit turistik, veçanërisht në periudhat kur mijëra pushues udhëtojnë drejt destinacioneve turistike të veriut.
Megjithatë, krijimi i një kolone prej rreth 20 kilometrash edhe jashtë fundjavës dhe orareve të pikut rikthen shqetësimin për mënyrën e menaxhimit të qarkullimit në një prej akseve kryesore të vendit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



