Kaos në Tiranë, protestuesit i vënë flakën ish-hotel Dajtit
Situata në kryeqytet ka marrë një kthesë të mëtejshme. Godina e ish-Hotel Dajtit është përfshirë nga flakët gjatë protestës kundër qeverisë së Edi Ramës. Ndërtesa historike, e cila aktualisht përdoret nga Banka e Shqipërisë, është kthyer në një tjetër pikë të tensionit në ditën e pestë të protestave.
Incidenti vjen në një moment kur përplasjet mes protestuesve dhe forcave të policisë janë intensifikuar, duke u shtrirë edhe përtej zonës pranë Kryeministrisë. Zjarri në ish-Hotel Dajti shënon një tjetër episod të rëndë të zhvillimeve të orëve të fundit në Tiranë.
Godina, e njohur për rëndësinë e saj historike dhe arkitekturore, nuk shërben më si hotel, por është vënë në përdorim nga Banka e Shqipërisë. Përmasat e dëmeve të mundshme në ndërtesë dhe në ambientet e përdorura nga institucioni financiar mbeten ende të paqarta.
Nuk ka informacion zyrtar për dëmet
Deri në këto momente, nuk ka informacion zyrtar për bilancin e dëmeve materiale apo për persona të lënduar si pasojë e zjarrit.
Përplasje të forta në bulevard
Më herët, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” u regjistruan përplasje të forta, ndërsa policia ndërhyri me gaz lotsjellës, automjete ujëhedhëse dhe forca të shumta për të shpërndarë turmën. Zhvillimet e fundit dëshmojnë për rritjen e tensioneve gjatë protestës, ndërsa situata në kryeqytet mbetet e ndërlikuar.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



